KOMENT – BE nuk arrin konsensusin për furnizimin e Ukrainës me armë për të goditur territorin rus

BRUKSEL, 28 maj /ATSH-DPA/- Ministrat e Mbrojtjes të Bashkimit Evropian nuk ishin në gjendje të arrinin një konsensus – nëse Ukraina duhet të lejohet të përdorë armët perëndimore për të goditur objektivat në territorin rus – gjatë një takimi sot në Bruksel.
Vendet e BE-së kishin rënë dakord për të ofruar ndihmë ushtarake kolektive për Ukrainën.
Por, ndërsa disa vende anëtare po furnizojnë me armë Kievin me kufizime minimale, disa të tjerë po e bëjnë këtë me kusht që ato të përdoren brenda territorit ukrainas.
Qeveria ukrainase tha se forcat e saj duhet të jenë në gjendje të godasin objektivat brenda Rusisë, pas Rusia ka nisur sulmet nga përtej kufirit.
Shefi i Punëve të Jashtme të BE-së, Josep Borrell tha në një konferencë për shtyp pas takimit se përdorimi i armëve vetëmbrojtëse kundër objektivave ushtarakë në territorin rus përbën një veprim legjitim sipas ligjit ndërkombëtar – kur përdoret në mënyrë proporcionale.
“Por, është gjithashtu e qartë se është një vendim për çdo shtet anëtar individual”, shtoi Borrell.
“Askush nuk mund të pengojë një shtet anëtar që të sigurojë armë për Ukrainën dhe t’i lejojë ukrainasit t’i përdorin këto armë për të shënjestruar objektivat ushtarake brenda territorit rus”, tha Borrell.
“Në mënyrë të ngjashme, ne nuk mund t’i detyrojmë ata ta bëjnë atë”, tha ai.
Ministrat e BE-së kanë gjithashtu mosmarrëveshje nëse instruktorët ushtarakë nga BE-ja duhet të lejohen të ofrojnë trajnime në territorin ukrainas, apo nëse rekrutët ukrainas duhet të dërgohen në BE për trajnim.
Disa vende janë të shqetësuara se kjo mund të përshkallëzonte përfshirjen e tyre në luftë dhe të rriste rrezikun e konfliktit të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe Perëndimit.
Megjithatë, ministrat e Mbrojtjes ranë dakord për prioritetet e gjera për mbrojtjen e Evropës. Kryesorja midis tyre ishte mbështetja e palëkundur e BE-së për Ukrainën.
“BE-ja do të përdorë të gjitha mjetet që ka në dispozicion për të ndihmuar Ukrainën”, tha Borrell.
Ndër këto mjete është një fond jashtë buxhetit i quajtur “Paketa Evropiane e Paqes”, sipas të cilit BE-ja ka premtuar 5 miliardë euro (5,4 miliardë dollarë) si ndihmë ushtarake për Ukrainën.
Sekretari i përgjithshëm i aleancës ushtarake të NATO-s, Jens Stoltenberg tha se mbrojtja ajrore ishte nevoja më urgjente e Ukrainës.
Ai tha se vendet e BE-së po rrisnin shpërndarjen e municioneve, sistemeve të mbrojtjes ajrore, dhe në veçanti, të sistemeve më të avancuarve “Patriot”.
Stoltenberg, gjithashtu mori pjesë sot në takimin e ministrave të Mbrojtjes.
Në listën e prioriteteve të ministrave të Mbrojtjes është forcimi i kapacitetit industrial të BE-së për të prodhuar armatime dhe teknologji mbrojtëse.
Në mars, Komisioni Evropian propozoi një plan prej 1,5 miliardë eurosh për të forcuar industrinë e armatimeve evropiane, në mënyrë që ajo të mund të pajiset më mirë për t’u mbrojtur dhe për të armatosur Ukrainën.
Ministrat ranë dakord gjithashtu për rinovimin e sanksioneve ekzistuese kundër regjimit të Bashar Al-Asad në Siri, duke e zgjatur afatin me një vit tjetër deri në 1 qershor 2025.
Sanksionet e BE-së shënjestrojnë 316 persona dhe 86 organizata. //a.i/