RUSI – Putini e quan Zelensky të paligjshëm, njeh vetëm parlamentin e Ukrainës

MOSKË, 28 maj /ATSH-DPA/- Presidenti rus Vladimir Putin vuri sërish në dyshim legjitimitetin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, duke thënë se ai do të njihte vetëm autoritetin e parlamentit të vendit në Kiev.
Putini tha se sipas kushtetutës së Ukrainës, ligji ushtarak parashikon që vetëm kompetencat e Këshillit të Lartë janë zgjeruar – por jo ato të presidentit.
Avokatët ukrainas thanë se zgjerimi i kompetencave të presidentit Volodymyr Zelensky mbulohet nga ligje të tjera.
Aleatët perëndimorë të Ukrainës, përfshirë Gjermaninë, gjithashtu vazhdojnë ta njohin Zelensky si presidentin legjitim të vendit.
Pa vendosjen e ligjit ushtarak, mandati i parë i Zelensky do të kishte përfunduar më 20 maj.
Por, për shkak të pushtimit në shkallë të plotë të Kremlinit dhe me një pjesë të madhe të vendit të pushtuar nga forcat ruse, Ukraina nuk po planifikon zgjedhje.
Gjatë javëve të fundit, udhëheqja ruse është përpjekur të vërë në pikëpyetje legjitimitetin e Zelensky, duke theksuar ligjet e supozuara kontradiktore në Ukrainë.
Në një vizitë të fundit në Pekin, ai tha se nevojitej opinioni i ekspertëve për të sqaruar nëse Zelensky ishte ende ligjërisht në detyrë.
Më pas, gjatë një udhëtimi në Bjellorusi, ai këmbënguli se presidenti ukrainas nuk ishte më legjitim.
Deklaratat e Putinit shihen si një përpjekje për të minuar besueshmërinë e liderit ukrainas jashtë vendit, përpara një samiti të paqes në Zvicër më 15-16 qershor. //a.i/