E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

KOMENT – Evropa reagon për takimin e stuhishëm Trump-Zelensky

PARIS, 28 shkurt /ATSH-AFP/ – Kontinenti i Vjetër ka reaguar ndaj takimit të stuhishëm Trump-Zelensky në Zyrën Ovale, që përfundoi me largimin e presidentit ukrainas, me mosnënshkrimin e marrëveshjes për mineralet e rralla dhe me anulimin e konferencës së shtypit:

Bashkimi Evropian

Bashkimi Evropian e ka siguruar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky për mbështetjen e tij të palëkundur pas grindjes së tij me liderin amerikan Donald Trump duke i thënë atij se “nuk do të jesh kurrë vetëm”.

”Ji i fortë, ji i guximshëm, mos ki frikë”, shkroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Antonio Costa në një deklaratë të përbashkët në median sociale duke i thënë Zelenskyt se ”ne do të vazhdojmë të punojmë me ju për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz

Kancelari gjerman shprehu mbështetjen e tij për Ukrainën pas grindjes së ashpër publike të premten mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë një vizite në Shtëpinë e Bardhë.

“Askush nuk dëshiron paqen më shumë se qytetarët e Ukrainës! Kjo është arsyeja pse ne po kërkojmë së bashku rrugën drejt një paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë. Ukraina mund të mbështetet në Gjermaninë dhe Evropën”, tha Olaf Scholz në një deklaratë dërguar shtypit.

Presidenti francez, Emmanuel Macron

Presidenti francez Emmanuel Macron foli të premten me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky pas debatit të ashpër mes këtij të fundit dhe amerikanit Donald Trump, njoftoi Pallati Elysée.

“Po, ata folën”, tha një këshilltar i presidentit francez pas një përplasjeje verbale të paprecedentë mes Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, me presidentin amerikan që akuzoi homologun e tij ukrainas se ishte “mosrespektues” dhe jo “mirënjohës” ndaj Shteteve të Bashkuara.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez

”Ukrainë, Spanja është me ju!”, shkroi kryeministri spanjoll Pedro Sanchez në X të premten në mbrëmje, pas debatit të ashpër në Shtëpinë e Bardhë mes presidentit të SHBA Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelensky.

Udhëheqësi socialist spanjoll, i cili ka mbështetur në mënyrë aktive Ukrainën që kur Rusia pushtoi vendin tre vjet më parë, premtoi të hënën të lëshojë një paketë të re mbështetje ushtarake për Kievin këtë vit, me vlerë një miliard euro.

Kryeministri holandez, Dick Schoof

Mbështetja holandeze për Ukrainën mbetet “e paprekur”, tha sot kryeministri Dick Schoof, duke i shtuar zërin e tij liderëve evropianë, të cilët e kanë mbështetur presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky pas përplasjes së tij me homologun e tij amerikan, Donald Trump.

“Mbështetja holandeze për Ukrainën mbetet e paprekur. Sidomos tani”, tha Dick Schoof në X, duke shtuar se “ne duam paqe të qëndrueshme dhe një fund të luftës së agresionit që Rusia ka nisur”.

Kryeministri hungarez, Victor Orban

”Falënderoj Trumpin që mbrojti paqen”, deklaroi kryeministri hungarez, Victor Orban.

“Burrat e fortë bëjnë paqen, njerëzit e dobët bëjnë luftën. Sot, presidenti Donald Trump u ngrit me guxim për paqen. Edhe nëse është e vështirë për t’u gëlltitur për shumë njerëz. Faleminderit”, shkroi Orban në X.

Kryeministri polak, Donald Tusk

Kryeministri polak Donald Tusk ka siguruar solidaritetin e vendit të tij me Kievin.

“Të dashur miq ukrainas, ju nuk jeni vetëm”, postoi Tusk në X.

Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Store

”Ne qëndrojmë pranë Ukrainës në luftën e saj të drejtë për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, shkroi kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Store.

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson

Kryeministri suedez Ulf Kristersson vuri në dukje se “Suedia qëndron me Ukrainën”.

”Ju nuk po luftoni vetëm për lirinë tuaj, por edhe për të gjithë Evropën. Slava Ukraini!”, shkroi ai./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›