Policia me aksion në veri, konfiskon armë, eksploziv dhe uniforma ushtarake

PRISHTINË, 28 shkurt /ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur sot se në një operacion policor që u zhvilluar në një fshat në Leposoviq, janë konfiskuar municion dhe uniforma ushtarake.
“Janë zbuluar uniforma të ndryshme, armë dhe municion të ndryshëm por edhe dokumentacione të cilat dëshmojnë se strukturat paralele të mbrojtjes civile vazhdon të jetë aktive në territorin e Kosovës. Ky zbulim ka ndodhur disa kilometra brenda kufirit Kosovë-Serbi, në fshatin Rodel. Në vazhdimësi po zhvillojmë aksione”, tha ai.
Sipas tij, duke qenë se për çdo ditë po zbulojnë armë, tregon se ende ka pjesëtarë të dy organizatave terroriste në territorin e Kosovës, raporton KosovaPress.
“Serbia vazhdon të strehojë terroristin Millan Radojiçiq i cili është kupola… ne ju bëjmë të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e këtyre grupeve terroriste të dorëzohen, të dorëzojnë armët dhe që të bëhen pjesë integrale e shoqërisë”, shtoi ai.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në një dalje për mediet pas operacionit deklaroi se Policia e Kosovës është e aftë për t’u përballur me “mbetje” të terroristëve të Mbrojtjes Civile.
“Është e qartë se kemi të bëjmë me pjesëtarë të Mbrojtjes Civile, të cilët janë shpallur si organizate terroriste. Edhe duke qenë se ne për çdo ditë po zbulojmë qoftë armatim dhe uniforma por edhe po arreston, është e qartë se ka ende mbetje të kësaj organizate te brigadës së veriut ne Kosovë”, u shpreh ai gjatë një konference për media në veri të vendit.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha bëri të ditur se operacioni është akoma duke vazhduar.
1 nga 3/KosovaPress/