KOMENT – Evropa skeptike për planin e SHBA-së për paqen në Ukrainë

BRUKSEL, 20 nëntor /ATSH-DPA/- Zyrtarë të lartë në Bruksel, Varshavë dhe Berlin reaguan sot me skepticizëm ndaj raporteve për një plan të ri paqeje për Ukrainën – të hartuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës – ndersa një zyrtar i lartë gjerman e përshkroi atë si “të papranueshëm”.
“Që çdo plan të funksionojë, ai ka nevojë për Ukrainën dhe Evropën”, tha më herët shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas.
“Gjithashtu, duhet të kuptojmë se në këtë luftë, ka një agresor dhe një viktimë, kështu që nuk kemi dëgjuar për ndonjë lëshim nga pala ruse. Nëse Rusia donte vërtet paqe, mund të kishte rënë dakord për armëpushim pa kushte që para ca kohësh. Ndërsa ne po shohim sërish, bombardime të civilëve gjatë natës”, tha Kallas.
Plani i Uashingtonit, i raportuar për herë të parë nga “Financial Times” përfshin lëshime të gjera për Moskën, duke i bërë thirrje Ukrainës të përgjysmojë madhësinë e ushtrisë së saj dhe të heqë dorë nga provincat lindore të pushtuara nga Rusia, përfshirë Donetskun dhe Luhanskun.
Plani thuhet gjithashtu se i jep Rusisë kontrollin e zonave që nuk ka qenë në gjendje t’i pushtojë – në pothuajse katër vjet luftë në shkallë të plotë.
Portali i lajmeve “Axios” tha se propozimi ishte negociuar nga i dërguari special i presidentit të SHBA-së Donald Trump, Steve Witkoff, dhe zyrtari i lartë rus Kirill Dmitriev.
“SHBA-ja do të vazhdojë të hartojë një listë idesh të mundshme për t’i dhënë fund kësaj lufte – bazuar në kontributin e të dyja palëve në konflikt”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ne X, pa konfirmuar nëse kishte një propozim konkret.
Përpara një takimi me homologët e tij të BE-së në Bruksel, ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul këmbënguli se Ukraina duhej të ishte në gjendje të ruante sovranitetin e saj, pavarësisht shtrirjes së territorit të saj.
“Kjo duhet të negociohet në mënyrë të barabartë dhe kjo nuk është e rëndësishme vetëm për Ukrainën, por edhe për Evropën”, tha ai.
“Ndërsa Polonia mbështet çdo përpjekje për t’i dhënë fund luftimeve në Ukrainë, siguria evropiane varet shumë nga rezultati i çdo marrëveshjeje paqeje dhe Evropa duhet të përfshihet”, tha ministri i Jashtëm polak, Radosław Sikorski, përpara takimit të ministrave të BE-së, në Bruksel.
Raportet për planin e ri të paqes vijnë në një kohë kur forcat ukrainase po përballen me një presion në rritje rreth qytetit lindor të Pokrovskut dhe me mungesë besueshmërie për shkak të një skandali të madh korrupsioni qeveritar. //a.i/