KOMENT – Harris dhe Trump në fushatë në shtetet me votues të pavendosur

UASHINGTON, 14 shtator /ATSH-ANSA/ – Kamala Harris po forcon epërsinë e saj ndaj Donald Trump pas debatit televiziv dhe, sipas një sondazhi të Reuters-Ipsos, zëvendëspresidentja ka 47% të votave kundër 42% të manjatit.
Avantazhi prej pesë pikësh është më i lartë se katër i regjistruar në sondazhin e fundit nga 21-28 gushti.
Për 53% të të pyeturve, Harris fitoi debatin, ndërsa për 24% fitues ishte Trump.
Nuk ka kohë për të vlerësuar ndikimin që do të kenë mbi 67 milionë shikuesit e përplasjes së parë mes Kamala Harris dhe Donald Trump në fushatat e tyre përkatëse, kur të dy kandidatët të jenë sërish në rrugën për të ”pushtuar” shtetet e lëkundura dhe votuesit e pavendosur të tyre.
Kandidatja demokrate është në Karolinën e Veriut për dy mitingje, në Charlotte dhe Greensboro, dy ndalesat e para të turneut “New Way Forward”, i cili, siç shpjegoi stafi i zëvendëspresidentes, hap një fazë më agresive të fushatës.
”Qëllimi”, kanë zbuluar njerëzit e afërt të Harris, ”është të përfitojë nga performanca e saj e mirë në debatin televiziv duke goditur kundërshtarin e saj republikan, me spote të fushatës që nxjerrin në pah papërshtatshmërinë e tij”.
Njëra prej tyre fokusohet në temën e abortit dhe paraqet një nga momentet më domethënëse të duelit në ABC news, kur manjati pretendoi si fryt të punës së tij vendimin historik të Gjykatës së Lartë për anulimin e të drejtës për ndërprerjen e shtatzënisë në një nivel kombëtar.
”Duhet guxim dhe ata e patën atë”, deklaroi Trump, duke iu referuar përmbysjes së vendimit Roe kundër Wade, i cili hapi rrugën për ndalime në mbi 20 shtete të udhëhequra nga republikanët.
“Unë mendoj se populli amerikan beson se disa liri, në veçanti, liria për të marrë vendime për trupin tuaj, nuk duhet të bëhet nga qeveria”, përgjigjet Harris në një spot televiziv.
Harris më pas do të shkojë në Pensilvani të premten, një shtet tjetër vendimtar për të fituar Shtëpinë e Bardhë, ndërsa Tim Waltz do të mbajë një miting në Grand Rapids, Michigan.
Trump gjithashtu ka një axhendë të ngjeshur, fillimisht një tubim në Tucson, Arizona dhe më pas një ngjarje për mbledhjen e fondeve në Kaliforni.
Publikisht, manjati dhe mbështetësit e tij vazhdojnë të pretendojnë fitoren në sfidën televizive kundër Harris, por privatisht këshilltarët e tij kryesorë kanë pranuar se ai nuk ka gjasa të ketë arritur të bindë votuesit e pavendosur që ta mbështesin atë pas një paraqitjeje joefektive./ a.jor.