KOMENT – OKB: Periudhë e vështirë për Ukrainën, pas sulmeve ruse ndaj termocentraleve

KIEV, 20 korrik /ATSH-DPA/ – Ukrainasit do të përballen me një dimër të ashpër për shkak të krizës energjetike të provokuar nga sulmet ruse dhe kanë nevojë për ndihmë shtesë për t’i kaluar muajt më të ftohtë, ka paralajmëruar Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.
“Energji, energji, energji. Unë kurrë nuk kam parë një unanimitet të tillë kudo. Ata janë vërtet të shqetësuar për këtë çështje”, tha Filippo Grandi duke përshkruar përshtypjen e tij për bisedimet me zyrtarët ukrainas.
”Zyrtarët janë shumë të shqetësuar”, tha ai, duke vënë në dukje se ”njerëzit e zakonshëm, veçanërisht në metropolin lindor të Ukrainës, Kharkiv, kishin frikë se mos mbeten pa ngrohje në dimër”.
Pas sulmeve shkatërruese me raketa ruse në termocentralet e Ukrainës në veçanti, agjencia e OKB-së për refugjatët ka vërejtur një rritje të lehtë të numrit të refugjatëve gjatë dy deri në tre muajve të fundit.
“Ata janë të shqetësuar se duhet të përballen me dimrin – apo edhe këtë sezon shumë të nxehtë – pa energji”, tha Grandi.
Për këtë arsye kriza e energjisë elektrike, dhe jo domosdoshmërisht sulmet ushtarake, u konsideruan arsyeja kryesore për ukrainasit për të kërkuar strehim jashtë vendit.
Sulmet ruse me raketa dhe dron kanë shkatërruar më shumë se nëntë gigavat kapacitet të termocentralit që nga marsi.
Si rezultat, ka pasur ndërprerje për orë të tëra të energjisë në të gjithë vendin që nga maji.
OKB-ja ka vëzhguar gjithashtu një numër jo të vogël të të kthyerve.
“Përllogaritja është se nga shkurti i vitit 2022, një milion njerëz janë kthyer për të paktën tre muaj”, tha Grandi.
Megjithatë, rreth 6,5 milionë ukrainas, ose një e shtata e popullsisë, mbeten jashtë vendit.
Organizata e Grandit vlerëson se gatishmëria për t’u kthyer mbetet e lartë, me rreth 60% deri në 70% të refugjatëve ukrainas në Evropë që duan të kthehen.
Por ata thonë se “ne jemi të shqetësuar, nuk ka punë, ka krizë energjie, ka ende luftime”.
Pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia filloi në shkurt 2022.
Ai ka shkaktuar krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
OKB vlerëson gjithashtu se ka rreth 3,5 milionë njerëz të zhvendosur brenda vendit në vend./ a.jor.