E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

KOMENT – SHBA përgatitet për një numërim të gjatë të votave presidenciale

UASHINGTON, 5 nëntor /ATSH-DPA/ – Votimi në ditën e zgjedhjeve në SHBA është në orët e tij të fundit sot, ndërsa vendi po përgatitej për një numërim potencialisht të diskutueshëm dhe të gjatë të rezultateve për të zbuluar nëse Kamala Harris ose Donald Trump fituan garën jashtëzakonisht të ngushtë presidenciale.

Rezultati i garës mes Harris, zëvendëspresidentes demokrate dhe Trump, ish-presidentit republikan, mbetet i lëkundur ndërsa votuesit hodhën votat e tyre, me 270 vota elektorale të nevojshme për të fituar.

Për muaj të tërë, fushatat e dy kandidatëve janë përqendruar në shtatë shtetet e lëkundura që pothuajse me siguri do të vendosin zgjedhjet: Arizona, Xhorxhia, Michigan, Nevada, Karolina e Veriut, Pensilvania dhe Wisconsin.

Rreth 80 milionë qytetarë amerikanë votuan herët – personalisht ose me postë – para se të zbardhte dita e zgjedhjeve, duke përfshirë edhe Harris.

Trump ndërkohë hodhi votën e tij në një qendër votimi në Florida, ku tha se republikanët po fitonin dhe se ai ndjehej “shumë i sigurt” se do të shërbente një mandat të dytë.

Harris, e cila do të ishte gruaja e parë që do të bëhej presidente, nxiti njerëzit të votonin.

19 votat elektorale të Pensilvanisë mund të jenë çelësi për të përcaktuar se kush fiton.

Duke prekur një nga çështjet kryesore të fushatës, Harris i tha radios KDKA se SHBA kishte “një sistem të prishur imigracioni”, por ajo do ta “rregullonte”.

“Po e përfundojmë këtë fushatë ashtu siç e nisëm: me optimizëm, me energji dhe me gëzim”, tha Harris në rrjetet sociale.

Harris tha se do të darkonte me familjen e saj në rezidencën e saj në Uashington përpara se të largohej për të kaluar natën e zgjedhjeve në Universitetin Howard, kolegji historikisht me ngjyrë të qytetit që ajo ndoqi.

Trump, sipas medias amerikane, do të shikojë rezultatet që vijnë në resortin e tij Mar-a-Lago në Florida./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›