KOS i kërkon kreut serb: Mos e shisni Kosovën!

(E plotësuar) Kisha Ortodokse serbe i ka dërguar një apel kryetarit të Serbisë Tomislav Nikoliq, kryeministrit serb Ivica Daçiq dhe zëvendëskryeministrit serb Aleksandër Vuçiq që të mos e pranojnë, siç njofton FoNEt, asnjë kusht të Bashkësisë Evropiane për anëtarësim të Serbisë në të.
Në kumtesën e Kishës, nënshkruar nga Ipeshkvi Irinej, ndër të tjera theksohet se “kisha nuk po iu drejtohet në mënyrë të rëndomtë, por Kisha u bën apel që të mos pranoni kushtet e Brukselit” që janë vënë për Kosovën” dhe këtë gjë, Kisha e bën pasi që në opinion është thënë se “Kisha po hesht rreth Kosovës”.
“Kisha nuk po hesht rreth Kosovës”, thotë kumtesa e cila vazhdon pastaj me gënjeshtra të njohura rreth realitetit historik, të shkuar dhe aktual, në Kosovë.
“Premtimet më të rëndësishme bërë para e pas zgjedhjeve me të cilat e fituat besimin e popullit që në këtë periudhë turbullirash e trazirash të udhëhiqni Serbinë, kanë qenë se nën kurrfarë kushtesh nuk do ta dorëzoni, nuk do ta tradhtoni dhe nuk do ta shisni Kosovën”, thotë ndër të tjera kumtesa e Kishës Ortodokse Serbe.
------
“Marrëveshja është e keqe. Prishtina refuzon të pajtohet me çfarëdo zgjidhje kompromise dhe këtu nuk ka lëvizje, andaj me negociata nuk është arritur kurrfarë zgjidhje kompromise”, iu tha dje ministrave të kabinetit qeveritar kryeministri serb Ivica Daçiq.
Si merr vesh gazeta Blic, Daçiqi ka paralajmëruar mbajtjen e një mbledhje të veçantë të qeverisë dhe koalicionit për Kosovën. Me gjasë për këtë arsye asnjë nga ministrat nuk i ka bërë pyetje kryeministrit se a do të nëshkruhet marrëveshja me Prishtinën, apo jo. Në këtë takim nuk ka qenë i pranishëm zëvendëskryeministri Aleksandar Vuçiq, pasi ai ishte në një takim në Presidencë, me Tomisllav Nikoliqin.
“Kryeministri në atë mbledhje nuk ka propozuar asgjë rreth marrëveshjes. Nuk është bërë fjalë as nëse duhet nënshkruar apo jo ajo marrëveshje. Po ashtu, askush nga ministrat nuk ka bërë pyetje. Daçiqi pas çdo rundi të bisedimeve raporton për rezultatet dhe këtë e ka bërë edhe dje, por tashti pritet mbledhja e posaçme kushtuar ekskluzivisht çështjes së Kosovës”, tha burimi i Blicit.
Sot, ndërkaq, nga Presidenca serbe është bërë e ditur se nesër me fillim në orën 16 do të zhvillohet një takim i kreut shtetëror serb, e ku do të marrë pjesë edhe kreu i entitetit serb në Bosnjë e Harcegovinë (Republika Srpska). Thuhet se pas këtij takimi do të jepet edhe komunikata./Indeksonline/