E Premte, 6 Nëntor 2026

KPK konfirmon në detyrë prokurorin Afrim Shehu

TIRANË, 15 maj/ATSH/ Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë Afrim Shehun, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Procesi i rivlerësimit për prokurorin Shehu u krye nga trupa e KPK-së, e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Alma Faskaj dhe anëtare Pamela Qirko. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Vendimi, i arsyetuar me shkrim, nga trupi gjykues do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve. Ky vendim, mund të ankimohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Afrim Shehu ka punuar si oficer i Policisë Gjyqësore dhe si avokat përpara se të emërohej prokuror i Republikës së Shqipërisë në vitin 2009. Për gati një dekadë ai punoi si prokuror pranë Prokurorisë së Durrësit, ndërsa në qershor të vitit 2023 u transferua në Prokurorinë e Tiranës përmes procedurës së lëvizjes paralele.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›