KPK shkarkon nga detyra prokurorin Petref Asllani

TIRANË, 14 maj /ATSH/ Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore, vendosi shkarkim nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Petref Asllani, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
Sipas njoftimit të KPK, “vendimi, i arsyetuar me shkrim, nga trupi gjykues i kryesuar nga z. Olsi Komici, znj. Firdes Shuli relatore, znj. Valbona Sanxhaktari anëtare do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.
Ky vendim, mund të ankimohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Ky vendim u shpall sot, në datën 14.5.2024”.
/a.f/r.e/