KQZ, Arvizu takon Ramën: Të shqetësuar, palët larg marrëveshjes
Tiranë- Ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu, ka zhvilluar mesditën e sotme një takim me kreun e PS-së, Edi Rama, ku është diskutuar mbi situatën e krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Në një prononcim për mediat, ambasadori tha se mungesa e anëtarëve në KQZ është mjaft shqetësuese për SHBA-të, ndërsa ka thënë se është duke ndjekur me vëmendje deklarata e tre liderëve kryesorë, zotit Berisha, Rama dhe Meta. Ai ka bërë thirrje për gjetjen e një zgjidhje.
Shqetësim për SHBA-të është mosfunksionimi i KQZ-së. Nuk po punohet në mënyrë të plotë dhe nuk është e kompletuar tërësisht. Duhet që palët të punojnë sëbashku për të shmangur ngërçin në KQZ. Do të flasim edhe me partitë e tjera për këtë çështje. Palët mbeten ende larg dhe ne po vëzhgojmë me vëmendje deklaratat e liderëve, por palët janë ende larg një marrëveshje,-tha ai.
Pas tij foli edhe deputeti socialist Damian Gjiknuri, i cili u shpreh se PS-ja është e bindur në qëndrimin e saj, duke i bërë thirrje PD-së për gjetjen e një zgjidhjeje, duke thënë se ndryshe në zgjedhje do të shkohet edhe me këtë KQZ që është tani.
PS-ja ka një qëndrim konstant. Jemi të hapur për çdo zgjidhje ligjore. Shpresojmë që pala tjetër ti dëgjojë mënyrat e zgjidhjes. Mundësitë janë, KQZ-ja të kthehet në Parlamet, atje ku cënua legjitimiteti i saj,- tha Gjiknuri.
Aktualisht Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka mbetur me katër anëtarë, pasi dy anëtarët e PS-së u dorhoqën, sëbashku me atë të PBDNJ-së. Shkak u bë shkakrimi nga Kuvendi i anëtarit të LSI-së, për shkak të largimit të kësaj të fundit nga qeveria.