KQZ/ Komisioni Rregullator miraton procedurat e reja për mbledhjen e nënshkrimeve për referendumet

Komisioni Rregullator ka miratuar zyrtarisht rregullat e reja të procedurës që do të udhëheqin procesin e mbledhjes së nënshkrimeve për referendumet në Republikën e Shqipërisë. Akti i ri saktëson vendet e autorizuara për zhvillimin e këtij procesi, si dhe kërkesat teknike për administrimin e dokumentacionit.
Transparenca dhe mbrojtja e të dhënave
Sipas të dhënave zyrtare mbi vendimin, ky rregullim i ri institucional vjen për të vendosur standarde më të larta në menaxhimin e këtij procesi. Qëllimi kryesor i vendimit është të “garantojë zhvillimin e një procedure të qartë, transparente, të standardizuar dhe të zbatueshme në praktikë, duke siguruar respektimin e parimeve të ligjshmërisë, barazisë së qytetarëve përpara ligjit, integritetit të procesit dhe mbrojtjes së të dhënave personale të zgjedhësve.”
Standardizimi i praktikave administrative
Një theks i veçantë në aktin e miratuar i është kushtuar shmangies së paqartësive gjatë fazave të mbledhjes dhe dorëzimit të firmave nga ana e grupeve nismëtare. Përmes kësaj ndërhyrjeje rregullatore, institucioni sqaron se synohet “unifikimi i praktikave administrative që lidhen me administrimin e formularëve të nënshkrimeve, mënyrën e identifikimit të mbështetësve, procedurat e dorëzimit, si dhe detyrimet e subjekteve përgjegjëse për administrimin e procesit.”
Kushtet teknike dhe fletët tip të KQZ-së
Për të shmangur abuzimet dhe për të garantuar uniformitetin e procesit në të gjithë territorin, Komisioni Rregullator ka përcaktuar rregulla strikte lidhur me formën dhe përmbajtjen e dokumentacionit që do të përdoret. Në mënyrë të veçantë, akti sanksionon rreptësisht “përdorimi[n] i detyrueshëm i fletëve tip të miratuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmbajtja e tyre, të dhënat identifikuese që duhet të plotësohen nga zgjedhësit, si dhe elementet që lidhen me identifikimin dhe përgjegjësinë e anëtarëve të grupit të mbledhjes së nënshkrimeve.”
/rtsh.al/