E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ apel vendorëve: Mos ndryshoni vendin e QV-ve

Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli shprehu shqetësimin e thellë të KQZ-së për papërgjegjshmërinë dhe e një pjesë e madhe e drejtuesve vendorë qe kanë krijuar lidhur me çështjen e përcaktimit të saktë të qendrave të votimit. 

TIRANË- KQZ iu drejtoi të premten një apel drejtuesve vendorë që të respektojnë udhëzimet e KQZ-së për vendndodhjen dhe numrin e qendrave të Votimit (QV), pasi çdo ndryshim rrezikon të çojë në kolaps gjithë procesin zgjedhor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli, gjatë një konference për shtyp, shprehu shqetësimin e thellë të KQZ-së për papërgjegjshmërinë dhe neglizhencën totale që një pjesë e madhe e drejtuesve vendorë kanë krijuar lidhur me çështjen e përcaktimit të saktë të qendrave të votimit.
“Megjithë thirrjet e njëpasnjëshme dhe masat administrative të herë pas hershme që ne kemi marrë ndaj tyre, ky problem ka vazhduar dhe po kthehet në një gangrenë të vërtetë dhe rrezikon në këto moment të shkaktojë një kolaps të vërtetë sa i takon ditës së zgjedhjeve”, tha zëdhënësi Olli.
Sipas tij, shumë nga drejtuesit vendorë, kundër të gjithë detyrimeve të Kodit Zgjedhor, kanë ndërmarrë hapa për të ndryshuar vendndodhjen e QV, por ajo që përbën shqetësimin më të madh është bashkimi i disa QV-ve, ose ndarja e tyre. Aktualisht, janë rreth 44 QV në të gjithë Republikën, të cilat kanë ndryshime në raport me parashikimet e kryera nga drejtoritë e KQZ-së.
Zëdhënësi sqaroi se një problematikë e tillë rrezikon që votues të ndryshëm të shkojnë në QV inekzistente. “Ky problem i jashtëzakonshëm kërkon një përgjegjshmëri shumë të madhe nga drejtuesit vendorë. Ata duhet të heqin dorë nga çdo iniciativë personale dhe të zbatojnë me rigorozitet të gjithë materialin e dërguar nga KQZ në raport me QV-të, me numrin e vendndodhjen e tyre", tha Olli.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›