KQZ debate për mandatet: Deputetët e PD nuk janë tërhequr nga postet
TIRANË- Deputetët e rinj të PD janë njëkohësisht edhe kryetar bashkish, edhe drejtorë, duke mos thënë dorëheqjen nga funksionet e mëparshme. Ky shqetësim u ngrit sot në KQZ nga anëtarët e majtë.
Gjatë shqyrtimit nga KQZ të vendimit për shpërndarjen e mandateve të deputetëve për qarkun Dibër, përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genci Gjonçaj shprehu shqetësim për rastin e kandidatit fitues të PD-së, në këtë qark, Bedri Hoxha. Gjonçaj tha se mandati i Hoxhës është i pavlefshëm, pasi ende nuk është dorëhequr nga posti i tij si kryetar i Bashkisë së Klosit. "Në zbatim të dispozitës kushtetuese personat që nuk kanë dhënë dorëheqje në momentin e kandidimit nuk mund të përfitojnë mandate në Kuvend dhe në këtë rast mandati i z. Hoxha është i pavlefshëm", u shpreh Gjonçaj.
Në përgjigje të këtij shqetësimi kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, tha se "mandatin kandidati për deputet e fiton bazuar mbi rezultatin e zgjedhjeve dhe kur shkon në Kuvendin e Shqipërisë atje ka procedura të tjera që bëjnë verifikimin e mandatit. Në Kodin Zgjedhor nuk parashikohet asnjë mundësi që institucioni i KQZ-së të vendosë për një çështje të tillë". Ndërkohë, përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti, konfirmoi se kandidati fitues, Bedri Hoxha është i mandatuari i tretë i PD-së në listën e deputetëve të Dibrës, ndërsa nënvizoi se "Hoxha ka përmbushur të gjitha detyrimet ligjore në kohë, përfshi këtu dhe dorëheqjen nga posti drejtues në bashkinë e Klosit".