E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konstitucionalisti Jaho: KQZ është e detyruar me ligj të rihap kutitë

Në një intervistë për BBC-në, kreu i PS-së tha se opozita do të vazhdojë të protestojë deri në krijimin e komisionit hetimor parlamentar për të bërë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Por kryeministri shqiptar tha se për këtë çështje është shprehur gjykata shqiptare.
Kryeministri Sali Berisha tha se ishte i gatshëm për ngritjen e një komisioni hetimor lidhur me dyshimet e PS-së për lirimin e të burgosurve në zgjedhjet e 28 Qershorit.
Por i menjëhershëm dhe me të njëjtin vlerësim ishte reagimi i kreut të opozitës Edi Rama.
Ai tha se qëndrimi i kryeministrit është absurd pasi, sipas tij, askush nuk do të dalë mbi drejtësinë.
"Kërkojmë hapjen e kutive për transparencë, përmes një komisioni parlamentar që nuk është shkallë gjykimi dhe nuk ka të bëjë me procesin juridik që u mbyll me vendimin e kolegjit përkatës," tha kreu i opozitës Edi Rama.
Ai theksoi se në vend nuk do ketë zgjedhje të tjera, pa u hapur kutitë e zgjedhje të fundit.
Sa të bazuara në ligj janë qëndrimet e palëve? BBC bisedoi me konstitucionalistin Njazi Jaho, një nga drejtuesit kryesorë të Komitetit të Shqiptar të Helsinkit. Ilir Kadia bisedoi me zotin Jaho.

Njazi Jaho: Kodi zgjedhor me konsensusin e gjerë të partive më të mëdha është miratuar në dhjetor të vitit 2008 dhe për herë të parë në këtë kod u është lënë e drejta dy anëtarëve të KQZ-së pavarësisht se këta janë propozuar nga mazhoranca apo opozita që të kërkojnë marrjen e provave si dhe rinumërimin apo rivlerësimin e votave.
Këto janë 2 nene, neni 136 dhe 138 të kodit. Në këto nene thuhet: me kërkesën e dy anëtarëve të KQZ-së, KQZ është e detyruar të marrë provat e kërkuara nga dy anëtarët. Po ashtu thuhet se në rast se kërkesa për rinumërim ose rivlerësim të votave bëhet nga dy antarë të KQZ-së, KQZ është e detyruar të bëjë rinumërimin ose rivlerësimin e votave.

Siç dihet, KQZ i ka refuzuar këto kërkesa që janë bërë nga dy anëtarët me arsyetimin se nuk janë të bazuara, nuk ka të dhëna, nuk ka prova për të miratuar një kërkesë të tillë. Kam mendimin se KQZ-ja në këto raste ka gabuar sepse përmbajtja e neneve që përmenda më lartë e detyron KQZ-në të pranojë kërkesën e dy anëtarëve, domethënë ligjbërësi që ka miratuar kodin, nuk e ka lënë këtë çështje në çmimin e KQZ-së ta pranojë ose jo këtë kërkesë.

Le të marrim një shembull. Ju e dini që parlamenti ka të drejtë të ngrejë dhe komisione hetimore për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Në kushtetutë, mesa më kujtohet, thuhet se kur këtë kërkesë e bën 1/5 e deputetëve, ai komision ngrihet detyrimisht pasi kuvendi nuk ka të drejtë të refuzojë ngritjen e komisionit. E njëjta situatë është dhe me KQZ-në në këtë rast pasi ligji nuk e lë në çmimin e KQZ-së kërkesën, por ligji thotë detyrohet ta miratojë.

BBC: Shtatë anëtarët e KQZ-së e firmosën rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në Shqipëri?

Njazi Jaho: Kjo nuk ka rëndësi pasi nuk ka asnjë lidhje me këtë. Derisa çështja kishte kaluar në KQZ dhe nga KQZ-ja në kolegj, ai konfirmon një fakt që ka marrë formë të prerë.

BBC: Po a e parashikon Kushtetuta e Shqipërisë hapjen e kutive të votimit?

Njazi Jaho: Jo, Kushtetuta nuk merret me hapjen e kutive.

BBC: Pra nuk ka një kërkesë antikushtetuese nga opozita?

Njazi Jaho: Jo, në Kushtetutë nuk përmendet fare diçka e tillë. Në Kushtetutë thuhet komisioni hetimor ngrihet për të shqyrtuar një çështje të veçantë dhe çështjet e veçanta mund të jenë të ndryshme. Rëndësi ka objekti, se përsa i përket komisionit hetimor nëse ngrihet për çdo lloj çështje, nuk është në dorën e kuvendit ta ngrejë apo jo është në dorën e kërkesës së 1/5 të deputetëve.

BBC: Në rastin konkret kërkesa e opozitës për të hapur kutitë e votimit në katër qarqe të caktuara ka një vendim gjykate.

Njazi Jaho: Ajo është një çështje tjetër që nuk ka lidhje me kushtetutën, problemet e kodit zgjedhor. Vendimi i gjykatës është i formës së prerë dhe rezultati pa u atakuar vendimi gjykatës nuk ndryshon. KQZ-ja vendosi, çështja u ankua në kolegjin zgjedhor, kolegji zgjedhor gaboi apo jo, ka dhënë një vendim të formës së prerë dhe rezultati që është dhënë është i pandryshuar.

BBC: Pra dhe nëse do kemi një hapje të kutive të votimit me një vendim politik, a do të kemi ndryshim rezultati?

Njazi Jaho: Ajo është një problem le të themi politik, transparence, nuk ka të bëjë me ndryshim të rezultatit.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›