E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ-ja, debat për kandidatët që nuk dhanë dorëheqjen nga pushteti lokal



Përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste, Genci Gjonçaj, ngriti shqetësimin e kandidatëve që janë zgjedhur deputetë pa dhënë dorëheqjen nga postet që mbanin në pushtetin vendor. Ky shqetësim u ngrit dje gjatë diskutimit të mandatit të deputetit të PD-së në qarkun e Dibrës, Bedri Hoxha. Kjo për faktin se Hoxha nuk ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Bashkisë së Klosit. Gjonçaj tha se mandati i Hoxhës është i pavlefshëm, pasi ende nuk është dorëhequr nga posti i tij si kryetar i Bashkisë së Klosit. “Në zbatim të dispozitës kushtetuese, personat që nuk kanë dhënë dorëheqje në momentin e kandidimit nuk mund të përfitojnë mandate në Kuvend dhe në këtë rast mandati i z. Hoxha është i pavlefshëm”, - u shpreh Gjonçaj. Në përgjigje të këtij shqetësimi, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, tha se “mandatin kandidati për deputet e fiton bazuar mbi rezultatin e zgjedhjeve dhe kur shkon në Kuvendin e Shqipërisë, atje ka procedura të tjera që bëjnë verifikimin e mandatit. Në Kodin Zgjedhor nuk parashikohet asnjë mundësi që institucioni i KQZ-së të vendosë për një çështje të tillë”. Ndërkohë, përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti, konfirmoi se kandidati fitues, Bedri Hoxha, është i mandatuari i tretë i PD-së në listën e deputetëve të Dibrës, ndërsa nënvizoi se "Hoxha ka përmbushur të gjitha detyrimet ligjore në kohë, përfshi këtu dhe dorëheqjen nga posti drejtues në Bashkinë e Klosit".

11 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›