KQZ-ja e re fillon zyrtarisht punën
Anëtarët bëjnë betimin para Kuvendit
TIRANE - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i riformatuar pas ndryshimeve të fundit në Kodin Zgjedhor ka filluar dje zyrtarisht nga puna për ngritjen e infrastrukturës zgjedhor në mbarë vendin për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Anëtarët e rinj të KQZ-së bënë dje betimin para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.
Pas leximit të tekstit të betimit nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, anëtarët e rinj të KQZ-së u betuan në një ceremoni publike para Kuvendit të Shqipërisë, ashtu sikurse parashikohet edhe në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.
Gjatë seancës plenare të së hënës, Kuvendi miratoi përbërjen e re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pas propozimeve të bëra nga partitë politike. Kuvendi miratoi tre kandidaturat e propozuara nga PD, Arben Ristani (ish anëtar i KQZ-së), në postin e kryetarit të KQZ-së, dhe anëtarët Hysen Osmanajt dhe Vera Shtjefnit.
Kuvendi miratoi edhe dy kandidaturat e propozuara nga PS, Dëshira Subashi, (aktualisht anëtare e KQZ-së) dhe Artan Laze. Në të njëjtën kohë, deputetët miratuan edhe propozimin e PSD-së për kandidaturën e Pandeli Varfit, si dhe kandidaturën e Klement Zgurit, propozuar nga PR.
KQZ duhet që të fillojë menjëherë ngritjen e Komisioneve Zonale Zgjedhore (KZZ), Komisionet e Qendrave të Votimit si dhe grupet e numërimit të votave.