Presidenti i kompanisë së fuqishme të konsulencës “Cohen Group”, ish Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes William Cohen takohet me kryeministrin Berisha
Dje paradite, Kryeministri Sali Berisha u ftua për një vizitë e bashkëbisedim nga ish Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-ve z. William Cohen, aktualisht President i kompanisë së fuqishme të konsulencës në botë “Cohen Group”.
Në këtë vizitë, z. William Kohen shoqërohej nga ish drejtues të lartë dhe të njohur të Departamentit të Mbrojtjes si ish Zëvendësassistenti i Sekretarit të Mbrojtjes, z. Daniel Fata, General Joseph Ralston, Admiral James Loy, LTG Harry Raduege, BG Maria Owens etj., të cilët ndoqën me interes takimin.
Në bashkëbisedimin e hapur dhe miqësor, ish Sekretari i Mbrojtjes, z. Cohen shprehu kënaqësinë tij për vizitën e Kryeministrit Berisha në Washington, si dhe për takimin.
Në interesim të z. Cohen për sensibilitetin e popullit shqiptar dhe ndjenjat pro NATO-s, Kryeministri Berisha u shpreh se asnjë vend tjetër në rajon nuk ka përqindje aq të lartë sa Shqipëria, afro 96% , në mbështetje të integrimit euro-atlantik. Shqipëria dhe shqiptarët janë mbështetësit më të fortë të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe SHBA-së në rajon, duke demonstruar miqësinë e thellë që na karakterizon dhe rrugën në të cilën kombet, shtetet dhe qeveritë tona që do të thellojnë bashkëpunimin e tyre. Me këtë rast z. Berisha falënderoi personalisht ish Sekretarin e Mbrojtjes, z. Cohen për kontributin e tij personal në dobi të procese integruese euroatlantike.
Në përgjigje të interesimit të lartë të bashkëbiseduesve, z. Berisha parashtroi përpjekjet e qeverisë shqiptare për të arritur standardet e NATO-s, nëpërmjet modernizimit të ushtrisë shqiptare, rritjes së buxhetit për Forcat e Armatosura, etj..
Duke i prezantuar reformat e qeverisë së tij për një integrim të shpejtë e të sigurt në NATO dhe BE, Kryeministri Berisha u përqendrua në rezultatet e luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilat po bëjnë të mundur anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në NATO.
Kjo luftë dyfishoi numrin e turistëve verën e shkuar, duke arritur n
ë dy milion, si një shenjë për atraktivitetin që ofron bregdeti shqiptar. Me tej z. Berisha i njohu të pranishmit me potencialet e zhvillimit të Shqipërisë, kushtet që qeveria ka krijuar për thithjen e investimeve të huaja dhe rritjen e këtyre investimeve.
Ish Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-ve, z. William Cohen vlerësoi punën e qeverisë Berisha dhe sukseset e reformave të ndërmarra. Ai u shpreh se Shqipëria ka bërë progres domethënës dhe se e meriton plotësisht anëtarësimin në NATO, duke shprehur bindjen se marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë e qeverisë shqiptare do të thellohen akoma më shumë në të ardhmen.
Bashkëbiseduesit e tjerë, figura të larta e të nderuara të Pentagonit shfaqën interesimin e tyre për çështje që lidheshin me proceset integruese të vendit.
Aktualisht Kompania “Cohen Group” ofron shërbime konsulence dhe tregtie kudo në botë, duke u prezantuar si një nga kompanitë lider në këtë fushë.
Po ashtun dje pasdite, Kryeministri Sali Berisha pati një bashkëbisedim tepër miqësor me përfaqësues të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me dy nga organizatat më të fuqishme të diasporës dhe lobimit shqiptar, shoqatës atdhetare “Vatra” dhe të Këshillit Kombëtar Amerikano-Shqiptar (NAAC).
Kryeministri Berisha vlerësoi rolin e madh që diaspora ka luajtur, duke mbajtur gjallë shpirtin e shqiptarizmit si në të shkuarën, ashtu edhe me rolin e saj në zhvillimet demokratike. Roli i diasporës, - u shpreh Kryeministri Berisha - ka qenë veçanërisht vitet e fundit, shumë i rëndësishëm, duke mbështetur proceset integruese në Shqipëri, reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për nxjerrjen e vendit nga harta e krimit dhe korrupsionit.
Kryeministri i njohu bashkëbiseduesit me reformat politike dhe ekonomike, si dhe me përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Përfaqësuesit e dy organizatave të diasporës shqiptare në SHBA vlerësuan reformat e qeverisë shqiptare dhe garantuan mbështetjen e tyre për Kryeministrin Berisha në rrugën dhe programin e tij qeverisës.
...