KQZ-ja miraton fondin për zgjedhjet, 65 mln Lekë do tu ndahen partive
Tiranë- Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka përcaktuar sot fondin publik që do tu shpërndahet partive politike si paradhënie për zgjedhjet e 23 qershorit. Katër anëtarët e saj kanë miratuar pr/vendimin, i cili mundëson ndarjen e 65 mln lekëve për partitë e regjistruara si subjekte zgjedhore.
Sot KQZ-ja do të emërojë me short për çdo parti politike, ekspertë kontabël të liçensuar, të cilët do të auditojnë fondet e përfituara dhe të shpenzuara nga partite politike për vitin kalendarik 2012.
Janë 123 Parti Politike të regjistruara në regjistrin e partive politike pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë të cilat duhet të auditohen për fondet e përfituara dhe të shpenzuara për vitin 2012 nga ekspertët kontabël të Licensuar. Instituti i Ekspertëve të Autorizuar ka sjellë pranë KQZ-së listën e përbërë nga 106 ekspertë kontabël të Licensuar të cilët plotësonin kriteret e përcaktuara në Kodin Zgjedhor, 19 prej të cilëve kanë depozituar pranë KQZ kërkesë për pjesëmarrje në short. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, fton përfaqësuesit e të gjitha forcave politike dhe ekspertët kontabël të garantojnë pjesëmarrjen e tyre në hedhjen e këtij shorti në mbledhjen e datës 03 qershor 2013,- tha zëdhënësja e KQZ-së në një konferencë për shtyp të shtunën.
Në rendin e ditës është edhe miratimi i kërkesë së Institutit Demokratik të Kosovës për monitorimin e procesit elektoral në Shqipëri. Po ashtu do të shqyrtohet vendimi për të mbajtur zgjedhje të pjesshme për kryetarin e bashkisë Bulqizë, kryetarin e komunës Thumanë, qarku Durrës dhe kryetarin e njësisë bashkiake nr.1 në Tiranë.