KQZ letër Kolegjit Zgjedhor: Shqyrtoni ankimimet brenda 24 orëve nga depozitimi, të shmangim vonesat

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi i ka dërguar një letër Kolegjit Zgjedhor ku i kërkon të shqyrtojë ankimimet e subjekteve politike jo më vonë se24 orë nga momenti i depozitimit të tyre.
Kjo sipas Celibashit bëhet për të shmangur vonesat në prodhimin e fletëve të votimit për zgjedhjet e 14 majit.
“Duke respektuar paanësinë tuaj në vendimmarrje dhe pa cenuar pavarësinë e Kolegjit Zgjedhor, kërkojmë përshpejtimin e shqyrtimit të ankimeve të subjekteve zgjedhore apo kandidatëve kundër vendimeve të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, në lidhje me fletën e votimit.
Brenda mundësive ankimet të shqyrtohen jo me vonë se 24 orë nga depozitimi i tyre, me qëllim shmangien e vonesave në procesin e prodhimit dhe shpërndarjes se fletëve të votimit, pasi çdo vonesë në gjykim, krijon pamundësinë e miratimit të përmbajtjes së fletës së votimit brenda afateve të përcaktuara në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës se Shqipërisë”, i ndryshuar”, shkruhet në letrën e Celibashit drejtuar Kolegjit Zgjedhor.
/rtsh.al/