KQZ miraton djegien e fletëve: Nuk presim prokurorinë
Zgjedhjet e 8 majit janë një kapitull i mbyllur për politikën shqiptare dhe brenda 31 dhjetorit të këtij viti ato do të jenë kthyer në statistikë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të nisë më 25 tetor procesin e djegies së fletëve të votimit dhe tog jitha materialeve që u përdoren më 8 maj. Si rrallë herë, shtatë anëtarët vendosën me unanimitet që të pranojnë hapjen e kutive të zgjedhjeve dhe pastrimin e tyre.
Por projektvendimi u kontestuan nga avokati i PS-së Eridian Salianji, i cili kërkoi të pritej përfundimi i hetimeve nga ana e Prokurorisë për parregullsitë në kryeqytet. Sipas tij , KQZ duhet të ruante së paku fletët për Bashkinë e Tiranës dhe të vijonte me djegien e fletëve për njësitë e tjera vendore. Fletët e votimit nuk mund të digjen pasi ato janë objekt i kallëzimit penal që PS ka bërë në prokurorinë e Tiranës, për sa i takon rezultatit për kryeqytetin. Fletëvotimet janë prova e vetme që faktojnë manipulimin zgjedhor në bashkinë e Tiranës dhe ato nuk mund të digjen pasi ato janë objekt i kallëzimit penal që PS ka bërë në prokurorinë e Tiranës, për sa i takon rezultatit për kryeqytetin”,- theksoi Salianji.
Kjo kërkesë u mbështet në një farë mënyre edhe nga nënkryetarja Subashi, e cila kërkoi që të njoftohet prokuroria për djegien e fletëve dhe nëse ky institucion ka ndonjë pretendim, ti drejtohet KQZ-së. Por nuk ishte i këtij mendimi kreu i KQZ-së, Arben Ristani dhe si përfundim kërkesa u refuzua.
Projektvendimi parashikon që do të përdoren njëmijë litra benzinë për të djegur plotësisht materialet zgjedhore duke pastruar kutitë dhe përgatitur ato për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. I gjithë procesi do të kushtojë 5.4 milionë lekë. Procesi i hapjes së kutive të votimit, kutive të materialeve zgjedhore, seleksionimit të dokumentacionit dhe materialeve zgjedhore të ri- përdorshme, është parashikuar të realizohet brenda një afati 60 ditor. Nisur nga fakti se volume i punës që është më i madh se ai paraardhës, pasi bëhet fjalë afërsisht 5000 kuti më shumë si dhe duke pasur në konsideratë se KQZ kërkon që procesi duhet të mbyllet brenda këtij viti buxhetor, është menduar që procesi të realizohet brenda të njëjtës periudhë kohore 60 ditore, por duke shtuar numrin e punonjësve.
KQZ do të rekrutojë 10 supervizorë dhe 50 punëtorë. Nga supervizorët, gjashtë prej tyre do të jenë përgjegjës për procesin e hapjes së kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore në Lundër, si dhe për djegien e fletëve të votimit. Katër të tjerët do të jenë përgjegjës për procesin e klasifikimit, seleksionimit dhe arkivimin e dokumentacionit zgjedhor. Edhe punëtorët e thjeshtë do të jenë të ndarë për të përshpejtuar procesin e punës, kjo edhe nga eksperienca e janarit ku KQZ dogji fletët e votimit të zgjedhjeve të 29 qershorit 2009.
30 punëtorë do të merren me hapjen, pastrimin e kutive.
Pas hapjes së kutive të votimit, punonjësit do të seleksionojnë materialet zgjedhore siç janë lista e zgjedhësve, lista e votuesve për ti ruajtur më pas në Arkivin e Shtetit. Sipas ligjit ato mund të shikohen vetëm pas 25 vjetësh. Me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij Kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së, thuhet në nenin 178 të Kodit. Edhe pse në projektvendim u caktua 31 dhjetori si afat maksimal, procesi i pastrimit të kutive pritet të mbyllet brenda 22 dhjetorit.
PS kundërshton djegien e fletëve të Tiranës
Eridian Salianji (Avokat i PS): Nuk e kuptojmë këtë nxitim për djegien e fletëve të votimit pasi ka jo më shumë se 10 ditë që është mbyllur procesi. Këto fletë votimi siç dhe ju e dini janë objekt i një kallëzimi penal që PS ka bërë në prokurorinë e Tiranës për krimin elektoral që ndodhi në KQZ, për ndryshimin e rezultatit që ndodhi sa i përket Tiranës dhe ju nuk mund ti digjni këto fletë votimi se janë prova që do i shërbejnë prokurorisë
Arben Ristani (Kryetar i KQZ): Mund ti referoheni një baze ligjore për kërkesën që keni?
Salianji: Këtu nuk jemi në seancë pyetje-përgjigje. Bazë ligjore kemi praktikën disavjeçare të KQZ i cili në asnjë rast nuk i ka djegur fletët e votimit 10 ditë pas procesit. Është dhe Kodi i Procedurës Penale.
Ristani: Cili nen i Kodit të Procedurës Penale?
Salianji: Ju keni jurist duhet ta dini, keni qenë gjyqtar. Po ta harroni iu sjellim kodin ta lexoni. Ato janë prova dhe nuk mund të veproni mbi këtë provë pa u shprehur prokuroria në lidhje me kallëzimin tonë. Na thoni ju pse kaq shpejt? Na keni thënë shpejt se duhen kutitë, na keni thënë shpejt se do bëhemi gati për zgjedhjet e tjera. Pse kaq shpejt do digjni fletët e votimit?
Ristani: Të lutem a ka mundësi ti referohesh ligjit në kërkesë?
Salianji: Duhet të na sqaroni së pari pse kaq me nxitim për djegien e fletëve?
Ristani: Zoti Salianji unë kam shumë respekt për njohuritë tuaja juridike ndaj po iu pyes se cila është baza ligjore e kërkesës suaj?
Salianji: Iu dhashë përgjigjen time. Është një proces hetimor në Prokurorinë e Tiranës. Është si të prishësh vendin e krimit. Ju po prishni vendin e krimit, është vepër penale dhe kjo.
Ristani: Eridjan e di çfarë është e çuditshme në këtë rast: Sa herë është për të thënë budallallëqe të dërgojnë ty. Pse nuk vjen Genci?
60 ditë do të zgjasë procesi i hapjes së kutive të votimit nga ana e punonjësve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në procesin e punës do të marrin pjesë 60 punëtorë , ku 10 prej tyre do të jenë supervizorë. Afati i pastrimit të kutive të votimit për ti bërë ato gati për zgjedhjet e ardhshme parlamentare është i njëjtë me procesin e djegies së fletëve të 29 qershorit 2009. Gjithsesi për respektimin e këtij afati është rritur numri i punonjësve.
5,4 milion lekë është parashikuar procesi i pastrimit të kutive të votimit. Pjesa më e madhe e fondit do të shkojë për transportimin e punonjësve për te Magazinat e Lundrës që do të kushtojë 6 milion lekë të vjetra ndërsa kamionët për transportin e mbeturina do të kushtojnë 7,2 milion lekë të vjetra. Në procesin e fundit u përdorën kamionët e ushtrisë shqiptare të cilat i dogjën fletët në lumin Erzen. Ndërkohë 180 mijë lekë të rinj është kostoja e 1 mijë litrave benzinë që është parashikuar për djegien e fletëve të votimit dhe të materialeve zgjedhore.
15 mijë kuti do të pastrohen nga administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Për shkak të specifikës së zgjedhjeve vendore, janë përdorur 5 mijë kuti më shumë. Sipas Kodit Zgjedhor janë kuti të veçanta për kandidatët për njësi vendore dhe për subjektet politike. Gjithashtu kuti shtesë është edhe për materialet zgjedhore. Për shkak të ndarjes në 11 njësi minibashki, Tirana ka edhe dy kuti më shumë pasi shtohen kutitë për kryetar minibashkie dhe për subjektet në garë për njësitë e vogla të kryeqytetit.
