Ekzekutim mafioz në Tiranë, vritet Arjan Selimi
Dashamir Biçaku / Lindita Çela
Një vrasje e stilit mafioz ka tmerruar mbrëmjen e djeshme kryeqytetin teksa viktima është një emër i njohur i botës së krimit, Arjan Selimi. I arrestuar me bujë shtatë vite më parë si pjesë e një grupi gjigant trafiku droge, momentalisht Selimi ishte në arrest shtëpie dhe çështja po rigjykohej. Ai ishte dënuar me 16 vite burg dhe duhet të ishte nën ruajtjen konstante të policisë. Por dje në orën 19.15 Selimi është vrarë nga një breshëri kallashnikovi teksa po hynte në makinë, vetëm pak metra larg shtëpisë ku bashkëjetonte me Inis Gjonin, vajzën e njohur të spektaklit. Vrasësit janë dy persona, të cilët janë larguar me makinë ose me motor, policia nuk ka mundur që ta saktësojë ende këtë detaj. Nga plumbat ka mbetur i plagosur rëndë edhe një djalë 19 vjeç, i cili mesnatën e djeshme ndodhej rëndë në Spitalin Ushtarak. Policia ka ngritur shumë pista hetimore, por më kryesorja është ajo që ka lidhje me të kaluarën e Selimit dhe trafiqet e drogës.
***
Vrasja ndodhi në rrugën Skënder Shtylla, pranë një kompleksi banimi ku Selimi jetonte prej pak kohësh në zonën e njohur me emrin ish-serat. Selimi mësohet se ka marrë së paku katër plagë me armë zjarri në trup, të cilat i kanë shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Sipas burimeve, ai mori dy plagë në gjoks, një në qafë në dorë. Po ashtu ka mbetur i plagosur rëndë edhe Klevis Kola, një kalimtar, i cili ndodhej rastësisht rreth 10 metra larg vendit ku ndodhej Selimi.
Burimet thanë se dy personat që kryen ekzekutimin kanë derdhur në vendin e ngjarjes më tepër se 15 plumba nga arma e tyre automatike ndërsa mendohet se u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Një dëshmitar, i cili kishte parë Selimin vetëm pak momente pasi ishte qëlluar nga personat e panjohur, tha për Shekullin se menjëherë sapo personat u larguan ai u afrua dhe vuri re se personi i gjakosur në fytyrë dhe në trup, nuk jepte shenja jete.
Menjëherë sapo e qëlluan ai u shemb në tokë. Personat ishin larguar me shpejtësi dhe nuk kuptova se nga e qëlluan apo nga u larguan. Menjëherë iu afrova dhe e pashë aty të larë në gjak. Nuk kishte asnjë shenjë jete nuk e preka, por vetëm u largova,- tregon një djalë i ri rreth të 25- ve, ndërsa shton se personi i shtrirë në terren dhe i gjakosur, ishte me flokë të rënë, i veshur në mënyrë sportive, me një palë pantallona tre çerekshe me një palë atlete dhe një bluzë ngjyrë gri me jakë të lartë. Ishte i gjakosur në trup fare pak, por në fytyrë ishte tërësisht i gjakosur dhe nuk kuptohej se nga e kishte marrë plagën,- tregon dëshmitari që refuzon të identifikohet.
Burimet e policisë thonë se Selmi, është qëlluar nga një distancë e afërt 5- 6 metrash. Ekspertët në vendin e ngjarjes administruan një sasi prej rreth 15 gëzhojash të kalibrit 7.62 mm, që sipas ekspertëve mendohet se i përkasin një arme automatike Kallashnikov.
Ndërsa të shtënat i morën jetën në mënyrë të menjëhershme Selimit, vetëm pak metra më tej mbeti i plagosur Klevis Kola, një person 19 vjeçar, i cili sipas burimeve banonte në vendin e ngjarjes. Fillimisht dyshimet e policisë ishin se i plagosuri kishte qenë duke ecur me Selimin në momentin e plagosjes, por më pas u sqarua se ai ishte duke ecur pranë pallatit ku ndodhi ngjarja, me destinacion tjetër nga ai i Selimit. Në pak minuta në vendin e ngjarjes mbërritën një grup ekspertësh dhe specialistësh të policisë së komisariatit nr.2, të cilët më pas u munduan ti jepnin ndihmën e parë Selimit, por ai kishte ndërruar jetë disa minuta përpara mbërritjes së policisë.
Mekanizmi i ngjarjes
Menjëherë pas kryerjes së veprimeve të para në vendin e ngjarjes, ekspertët dhe hetuesit e policisë kanë mundur të ngrenë mekanizmin e ngjarjes, falë këqyrjes së kryer dhe marrjes së dëshmive. Për këtë qëllim në drejtorinë e Policisë së Tiranës u shoqëruan më tepër se 13 persona, të cilët, sipas burimeve të policisë mund të ndihmonin hetimin me deklarime dhe dëshmi të vlefshme që mund të identifikonin autorët e dyshuar. Selimi në kohën që është qëlluar mësohet se ishte drejtuar në këmbë, duke ecur nga blloku i apartamenteve ku ai banonte në rrugën Skënder Shtylla, drejt rrugës Stavri Themeli. Pikërisht rreth 20 metra nga rruga Stavri Themeli, Selimi, u qëllua në pritë duke mbetur i vdekur në vend.
Viktima
Armand Andoni, i biri i Minella dhe Luçia, i datëlindjes 09/06/1974, lindur dhe banues në Tiranë, alias- (Arjan Selimi, i biri i Sokol dhe Florenca, i datëlindjes 09/06/1974, lindur dhe banues në Tiranë), akuzohet për kryerje të veprës penale të Trafikimit të narkotikeve, parashikuar nga neni 283/a, paragrafi i trete i K. Penal
Prokuroria
Deklarimin fajtor të të pandehurit Armand Andoni (Arjan Selimi) për veprën penale të Organizimit, drejtimit dhe financimit të veprimtarisë me qëllim trafikimin e narkotikeve të parashikuar si krim nga nenet 283/a, paragrafi i trete i Kodit Penal dhe dënimin e tij përfundimisht me 16 vjet burgim
Njohja me Inis Gjonin
Inis Gjoni dhe Arjan Selimi janë njohur në verën e vitit 2002 dhe pothuajse dy vjet më pas kanë nisur të bashkëjetojnë. Më pas Selimi bashkëjetonte me një vajzë që quhej Bela. Ai i ka thënë Gjonit se prindërit ndodheshin në Amerikë, ku kishte jetuar edhe ai më parë.
Emri i rremë
Gjatë verifikimit të gjurmëve të gishtërinjve të Arjan Selimit, prokuroria zbuloi se ishin të njëjta me ato të një personi të arrestuar në SHBA kohë më parë për shitje droge. Ai quhej Armando Andoni. Pas kësaj gjykata i ndryshoi emrin Arjan Selimit në Armando Andoni.
Trafiku i drogës
Nga përgjimi i bisedave dhe provat ka rezultuar se në datat 05-11 Maj 2001 të jetë transportuar nga Shqipëria në Itali nga korrier i panjohur sasia mbi 10 kg lëndë narkotike, heroinë me cilësi të dobët e fryrë, sasi e dërguar nga i pandehuri Armand Andoni (Arjan Selimi) dhe Artur Gjini, marrë në Milano nga Arben Myrtja 04.05.2001, që është tërhequr nga tregu narkoman me vështirësi. Me gjithë përgjimet e kryera në këtë periudhë, nuk është bërë e mundur të sekuestrohet lëndë narkotike.
Në datë 15-18.06.2001 është bërë e mundur të dërgohet një sasi lënde narkotike nëpërmjet shtetasit Arben Nikulaj nga te pandehurit Arjan Selimi (Andoni) dhe Artur Gjini. Në Itali do të pritej të shitej nga i pandehuri Avrami dhe Arben Myrtja, në Modena në Gallarate. Kjo sasi e lendes narkotike është gjetur dhe sekuestruar në kamionin tipSkaniame targa ****** e në brendësi të gomës rezerve janë gjetur 26 pako të mbështjella me shirit izolues futur në një tub gome, me peshe totale prej 16.750 kg. Të pandehurit e kanë trajtuar këtë rast në bisedat e tyre si rastësi dhe nuk besonin se ishin në ndjekje.
Në datat 01-05 korrik 2001 i pandehuri Arjan Selimi(Armand Andoni) dhe Artur Gjini kanë komunikuar për dërgimin në shtetin italian të një sasie lënde narkotike prej gati 10 kg heroinë me anë të drejtuesit të një automjeti ****** e që pritës të kësaj lënde narkotike ishin në Gallarate- Arben Myrtja, Adriatik Pemaj, Nikoll Filipi. Dhe në këtë rast nuk është sekuestruar lënda narkotike që mendohet se kanë dërguar i pandehuri Armand Andoni e Artur Gjini.
Dosja italiane e Arjan Selimit
Në vitin 2004 prokuroria ka dërguar për gjykim çështjen e Arjan Selimit së bashku me shtatë persona të tjerë të akuzuar si anëtarë të një rrjeti gjigant të trafikut të lëndëve narkotike në të gjithë Europën. Hetimet kanë nisur nga prokuroria italiane, e cila ka kryer edhe pjesën më të madhe të përgjimeve. Polic