E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ miraton fletët e votimit, Edi Rama me siglën “AA”

09-04-2011 / Elda Tomani

Përmes një deklarate për shtyp Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në përputhje me Kodin Zgjedhor ka miratuar përmbajtjen e fletës së votimit dhe specifikimet teknike të saj. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka reaguar gjithashtu ndaj akuzave të pabaza të partisë Socialiste dhe deklaratës së Fatmir Xhafaj i cili akuzoi pa baza KQZ-në. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sqaron se “në përfundim të procesit të regjistrimit të kandidatëve për kryetar për Bashkinë e Tiranës, KQZ, në mbështetje të nenit 97, pika 2 dhe 3, nenit 98 të Kodit Zgjedhor, me vendimin e fundit miratoi përmbajtjen e fletës së votimit në përputhje të plotë me ligjin dhe specifikimet teknike”.
Më tej në këtë deklaratë për shtyp thuhet se pranë emrit të kandidatit demokrat Lulzim Basha është shkruar emri i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” dhe pranë tij sigla e të gjitha partive që janë në koalicion me Partinë Demokratike. Ndërsa pranë emrit të kandidatit socialist do të shkruhet vetëm emri i koalicionit “Aleanca për të ardhmen” dhe shkronja nistore e saj “AA”. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sqaron gjithashtu se “sipas marrëveshjes së koalicionit Aleanca për Qytetarin, me kandidat zotin Lulzim Xhelal Basha, emri zyrtar i koalicionit është “Aleanca për Qytetarin” dhe shkronjat nistore të koalicionit përkojnë me shkronjat nistore të të gjitha partive politike përbërëse të tij.
Ndërsa, sipas marrëveshjes së koalicionit Aleanca për të Ardhmen, me kandidat  zotin Edi Kristaq Rama, emri zyrtar i koalicionit është “Aleanca për të Ardhmen” me shkronjat nistore janë “AA”. Ndër të tjera në këtë deklaratë për mediat thuhet se “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka qenë tërësisht korrekt në vendimmarrjen e tij duke pasqyruar në përmbajtjen e fletë-votimeve vetëm marrëveshjet që koalicionet përkatëse janë regjistruar”. Gjithashtu përmes kësaj deklarate për shtyp, zëdhënësi i KQZ-së, Arti Lushi ka theksuar se “nuk është përgjegjësi ligjore e KQZ të përcaktojë vullnetet politike dhe as formën e përfaqësimit të tyre. Veprimtaria e KQZ, është dhe do të vazhdojë të bazohet te ligjshmëria, transparenca dhe serioziteti profesional”.
Apeli i KQZ: Partitë politike të zbatojnë kuadrin zgjedhor/Ka nisur dje zyrtarisht hapja e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 8 majit. Përmes një deklarate për mediat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka bërë thirrje subjekteve politike që të zhvillojnë një fushatë sa më të qetë e civile si  dhe të zbatojnë kuadrin ligjor. Përmes kësaj deklarate për mediat, zëdhënësi i KQZ-së, Arti Lushi  deklaroi se KQZ i uron të gjithë subjekteve politike që garojnë në zgjedhjet e 8 Majit për organet e qeverisjes vendore 2011, një fushate të mbarë dhe një garë të ndershme, dinjitoze. “Urojme dhe shpresojmë se gjatë gjithë kësaj periudhe, subjektet politike do të ruajnë parametrat maksimale si në zbatimin e kuadrit ligjor, por edhe sa i takon zhvillimit të një fushate sa me të qete e sa me civile. Një fushatë e cila duhet të shoqërohet nga një atmosfere, larg rrymës së konfliktualiteteve dhe situatave provokative. Gjithë shtetasit shqiptarë, gjithë zgjedhësit shqiptarë, sikundër edhe vete subjektet politike nga një raund zgjedhor në tjetrin kanë provuar se mund të ngrihen mbi mikro-interesat politike dhe të zhvillojnë fushata zgjedhore në klime mirëkuptimi dhe bashkëpunimi”- u shpreh zëdhënsi i KQZ-së, Arti Lushi. Në vijim të kësaj deklarate për mediat Lushi, theksoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpreh bindjen se palët garuese do të dinë të ruajnë qetësinë,etiken e komunikimit,debatit të bazuar në argumentin politik dhe jo në atë të gjuhës së ashpër dhe agresive. Gjithashtu zëdhënësi i KQZ-së, Lushi nënvizoi se KQZ do të vazhdojë të bëjë maksimumin për të ruajtur të gjitha standardet dhe zbatimin me korrektësi maksimale të Kodit Zgjedhor. “Besoj se kemi bërë më të mirën për përgatitjen dhe ngritjen e të gjithë infrastrukturës njerëzore, nënligjore dhe logjistike në funksion të administrimit dhe të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor. Shprehim vullnetin tonë të pakontestueshëm për të  zbatuar me ri-gorizitet të plotë kuadrin ligjor si dhe angazhim për funksionimin e KQZ-së në transparencë të plotë”- theksoi më tej zëdhënësi i KQZ-së, Lushi.  Në përfundim të kësaj deklarate ai tha se Komisioni Qendror Zgjedhor do të vazhdojë që të bashkëpunojë edhe me organizmat ndërkombëtare si OSBE-ODHIR, Këshilli i Europës, dhe departamentin Amerikan të Shtetit në mënyrë që të garantohet një proces zgjedhor sa më transparent.“Ky bashkëpunim, ka qenë dhe mbetet një mbështetje e madhe për institucionin tonë, e na bën të besojmë se jemi ne rrugën e duhur”- përfundoi këtë deklaratë për mediat zëdhënësi i KQZ-së”, Lushi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›