E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ miraton listat, gjobit PD, PS, LSI për mosplotësimin e kriterit gjinor

TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i mbledhur sot pasdite, ka miratuar listat shumëemërore të kandidatëve të partive politike të regjistruara në KQZ për zgjedhjet e 23 qershorit. Kështu janë miratuar listat e 12 partive, mes tyre dhe të dy partive të mëdha, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. 

Gjatë shqyrtimit të listave të kandidatëve KQZ ka vërejtur se partitë kryesore PD, PS por edhe LSI nuk kanë plotësuar kriterin gjinor të përfaqësimit në disa qarqe duke i gjobitur ato.

Sipas KQZ, Partia Socialiste nuk ka respektuar kriterin gjinor, pra përfaqësimin e grave në qarqe si: Gjirokastër, Elbasan, Durrës, Kukës, Dibër, prandaj është vendosur për të sanksioni administrativ prej 6 mln lekë gjobë. Po kështu edhe Partia Demokratike nuk ka përmbushur kriterin e përfaqësimit gjinor në Elbasan, Kukës, Dibër, Berat, duke e gjobitur me 4 mln lekë. Po kështu është gjobitur edhe LSI për mos plotësimin e kuotës së përfaqësimit të grave në Berat Kukës, Durrës dhe Gjirokastër.

Lista e partive politike që u miratuan sot pasdite si më poshtë:
1. Partia Lëvizja Shqipëria e Re
2 .Partia e të Drejtave të Mohuara
3. Partia Socialiste
4. Partia Demokratike
5. Partia Lëvizja Socialiste për Integrim
6. Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet
7. Partia Social Demokrate
8. Partia Emigracioni Shqiptar
9. Partia Bashkimi Liberal Demokrat
10. Partia Lidhja për Drejtësi dhe Progres
11. Partia Rruga e Vërtetë Shqiptare
12. Partia Popullore Kristian Demokrate

Dy ditë më parë KQZ nisi miratimin e listave shumëemërore të kandidatëve të partive politike dhe deri tani ka regjistruar listat e 36 subjekteve zgjedhorë. Ndërkohë, në KQZ janë regjistruar 66 parti që do të konkurojnë në zgjedhjet e 23 qershorit, 61 prej të cilave janë përfshirë në dy koalicionet parazgjedhore, ndërsa vetëm 4 do të garojnë të vetme.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›