E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ, miraton manualin e veprimit të anëtarëve të KZAZ

KQZ ka miratuar manualin për veprimet e anëtarëve të Komisionit të Zonës së Administrimit Zgjedhor. Manuali përcakton veprimet që do të ndiqen nga anëtarët e KZAZ dhe afatet e vendosura nga KQZ për marrjen në dorëzim të materialeve zgjedhore. 

TIRANE- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi vendimin “Për miratimin e manualit të Komisionit të Zonës së Administrimit Zgjedhor”, i cili përcakton në mënyrë të detajuar të gjitha veprimet që do të ndiqen nga anëtarët e KZAZ-ve si dhe afatet që do të vendosen nga KQZ-ja lidhur me marrjen në dorëzim të materialeve zgjedhore nga KZAZ-ja, dorëzimi i tyre te komisionet e qendrave të votimit dhe anasjellas. KZAZ-ja, jo më vonë se tri ditë para datës së zgjedhjeve, merr në dorëzim nga KQZ-ja materialet zgjedhore, të ndara në kuti të veçanta për çdo qendër votimi. Këto materiale, KZAZ-ja ua shpërndan KQV-ve jo më vonë se 15 orë para hapjes së votimit. Menjëherë pas mbylljes së procesit të votimit, por jo më vonë se 3 orë më pas, KZAZ-ja merr në dorëzim kutitë e votimit dhe kutitë me materialet zgjedhore. Për to KZAZ-ja cakton një ose më shumë grupe të marrjes në dorëzim. Grupet e marrjes në dorëzim përbëhen nga 2 anëtarë të KZAZ-së me përkatësi të ndryshme politike, të propozuar përkatësisht nga kryetari dhe zv/kryetari i KZAZ-së. Pasi merren në dorëzim materialet, KZAZ-ja bën verifikimet dhe në procesverbalin përkatës shënon mospërputhjet e konstatuara. KZAZ-ja vendos për fillimin e numërimit të votave vetëm pasi ka marrë në dorëzim të gjitha qendrat e votimit nën juridiksionin e saj. Tabela përmbledhëse e rezultatit të zgjedhjeve për zonën e administrimit zgjedhor nxirret nga KZAZ-ja jo më vonë se ora 17:00 e ditës së nesërme të votimit. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›