KQZ miraton nesër ndarjen e mandateve të këshillit bashkiak të Tiranës

Një javë më parë KQZ miratoi tabelën e rezultateve sipas së cilës “Aleanca për Qytetarin” do të ketë 28 këshilltarë ndërsa “Aleanca për të Ardhmen” 27 mandate
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet nesër për të miratuar shpërndarjen e mandateve për Këshillin Bashkiak të Tiranës. Kjo është konfirmuar nga burime zyrtare të këtij institucioni. Votimi në këtë rast duhet të jetë me shumicë të cilësuar, pra me pesë vota, dhe nëse kjo nuk ndodh atëherë çështja mund të përfundojë në Kolegjin Zgjedhor të Apelit.
Nuk është KQZ, por një nga palët e interesuara në këtë rast pritet të jetë Partia Demokratike që bën ankimim në Kolegjin Zgjedhor dhe është ky i fundit që do të vendos për mandatet.
E njëjta situatë u përsërit me këshillat e minibashkive ku për shkak të pamundësisë së vendimmarrjes në KQZ ishte kolegji që miratoi shpërndarjen e mandateve.
Lidhur me këshillin bashkiak të kryeqytetit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar tabelën e rezultateve sipas së cilës, të djathtët do të kenë 28 këshilltarë dhe të majtët 27. Ligji parashikon që kreu i ri bashkisë para së te marrë detyrën kryen betimin në këshill. Por në rast se këshilli nuk mblidhet për arsye të ndryshme, ligji ka parashikuar zgjidhje, duke ia kaluar prefektit procedurën e betimit të kryebashkiakut.