KQZ miraton qarkun e Tiranës, PS kundër
Një numër i konsiderueshëm prej 9400 votash janë shpallur të pavlefshme për shkak të parregullsive, një numër ky që ka vlerën e një mandati deputeti.
TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mundur dje, përmes debateve, të çertifikojë rezultatet e zgjedhjeve edhe në zonën më të madhe zgjedhore në vend, atë të qarkut të Tiranës.
Kështu, në bazë të tabelave të rezultateve, koalicioni i djathtë ka arritur të marrë 177.865 vota të ekuivalentuara këto në 16 mandate, ndërsa koalicioni i majtë ka mundur të marrë mbështetjen e 174 500 qytetarëve, ekuivalente kjo me 15 mandate deputetësh.
Ndërkohë që 19 mijë vota ose 1 mandat e ka marrë koalicioni i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Megjithatë edhe për këtë zonë, nuk kanë munguar parregullsitë me tabelat e rezultateve, çka ka bërë që debati i nisur edhe për qarqet e tjera të vazhdojë edhe dje.
Tabelat
Për shkak të shtrirjes së madhe dhe numrit të lartë të zgjedhësve, zona zgjedhore e qarkut Tiranë ka qenë edhe zona ku është shënuar një numër rekord gabimesh në të dhënat e hedhura në tabelat e rezultateve të cilat nuk korrespondonin të dhënat që pasqyronte sistemi elektronik i përpunimit të të dhënave.
Megjithatë këto gabime janë mundur të evitohen pa ndonjë debat të madh duke bërë korrigjimet përkatëse në tabelat përmbledhëse sipas të dhënave që jepnin tabelat e përpiluara nga grupet e numërimit për çdo qendër votimi.
Ndërkohë nga 16 ZAZ që kishte i gjithë qarku në katër prej tyre komisionerët e forcave politike nuk kishin arritur të gjenin gjuhën e përbashkët për të marrë dhe vendimin përkatës të miratimit të tabelave.
Për këtë arsye në ZAZ 46, 51, 54 dhe 60 tabelat e rezultateve ishin paraqitur të plota, por pa mundur që për to të merrej një vendim përfundimtar nga komisioni zonal i administrimit të zgjedhjeve.
Pikërisht ky problem është bërë dhe objekt debatesh në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, anëtarët e të cilit janë përfshirë në një diskutim të gjatë nëse KQZ-ja kishte kompetencë për të marrë kompetencat e KZAZ-së dhe të miratonte ai tabelat e rezultateve. Kështu, anëtarët e opozitës kanë këmbëngulur në argumentin se KQZ nuk mund ta marrë këtë kompetencë, pasi një standard të tillë nuk e ka zbatuar në të gjitha rastet.
Por anëtarët e djathtë kanë theksuar se në këtë mënyrë është vepruar edhe në të gjitha rastet e tjera siç është ai i Korçës, Kukësit apo Lezhës, ku në mungesë të një vendimi nga komisioni zonal, ai është marrë nga KQZ.
Pavarësisht divergjencave anëtarët e djathtë me shumicë votash kanë vendosur edhe kësaj here të miratojnë fillimisht tabelat përkatëse për këto katër KZAZ dhe më pas të gjithë tabelat përmbledhëse të gjitha KZAZ-ve të gjithë qarkut.
Të dhënat
Ndërkohë që nga 826 qendra votimi që kishte në total ky qark, rezultatet e pasqyruara në tabelat përmbledhëse kishin prodhuar vetëm 823 qendra të tilla.
Kjo për arsyen se për tre qendra votimi, në relacionin që shoqëronte aktin e KQZ-së, rezultati i tyre ishte shënuar me zero, një praktikë kjo e njohur tashmë kur KZAZ-të nuk kanë rënë dakord për të vlerësuar votat e tyre, pavarësisht se i kanë marrë në administrim.
Bëhet fjalë për KZAZ me numër 57 e cila nga 89 qendra kishte paraqitur rezultat vetëm për 88 prej tyre. KZAZ 58 ka dorëzuar apo numëruar 100 kutitë nga 101 që ka pasur dhe KZAZ 59 mungon një tabelë të dhënash për një qendër votimi, pasi nga 56 qendra ka të dhëna për 55 prej tyre.
Në total për 823 qendrat e numëruar konfirmohet se kanë votuar 387 mijë zgjedhës, nga të cilët 42,3 për qind kanë votuar për PD-në ose 159 mijë votues dhe 42.8 për qind ose 161 mijë prej tyre kanë votuar për PS-në.
Ajo që shihet nga këto të dhëna është se PS pavarësisht se kryeson renditjen me më shumë vota se çdo subjekt tjetër zgjedhor nuk ka mundur të marrë më shumë mandate se PD e cila për shkak edhe të votave të aleatëve si koalicion ka marrë 1 mandat më shumë. Vlen të theksohet se një numër i konsiderueshëm prej 9400 votash janë shpallur të pavlefshme për shkak të parregullsive, një numër ky që ka vlerën e një mandati deputeti.