E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli dënon "Hakmarrjen për Drejtësi"

Gjykata e Krimeve të Rënda, dënoi dje në shkallën e dytë, anëtarët e organizatës me dy burgime të përjetshme dhe 167 vite burg

Nga vendimi i djeshëm përfituan ulje vetëm Gëzim Gjoni dhe Pasho Novruzaj, përkatësisht nga pesë vite më pak

TIRANË- Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në kryeqytet, pas shtyrjes së disa seancave gjyqësore vendosi mëngjesin e djeshëm shpalljen e vendimit përfundimtar kundër 10 "azilantëve politikë" të cilësuar si anëtarë të "Hakmarrjes për Drejtësi", duke i dënuar në formën e prerë me 2 burgime të përjetshme dhe 167 vjet burg.


Ky vendim i togave të zeza u dha një vit pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, e cila pas një procesi gjyqësor katër vjeçar, deklaroi fajtorë 10 të pandehurit e kësaj dosjeje, duke i dënuar me dy burgime të përjetshme dhe 177 vjet burg.


Ndërkaq, vendimi i djeshëm i Apelit i ndryshoi masën e dënimit me nga pesë vjet secilit, të pandehurit Pasho Nevruzaj, nga 22 vjet burg në 17 vjet dhe të pandehurit Gëzim Gjoni nga 10 vjet burg në 5 vite heqje lirie.


Sipas këtij vendimi, të pandehurit e kësaj organizate, gjatë periudhës 1992 - 1996 kanë kryer 8 vrasje, 17 plagosje dhe 13 vjedhje. Ndërkohë, pas viteve 2000, disa nga këta të pandehur që vazhdojnë të shijojnë lirinë kanë kryer edhe veprën penale të "falsifikimit të dokumenteve". Shumica e të akuzuarve, tashmë kanë fituar azil politik në vendet e ndryshme të Evropës.


Masat e dënimit


"Nga shqyrtimi gjyqësor i dosjes është arritur në përfundim se të pandehurit Altin Arapi e Orik Shyti kanë kryer rolin e drejtuesve të organizatës, në emër të cilës kanë kryer një sërë veprash të rënda penale për të cilat deklarohen fajtorë dhe dënohen me "burgime të përjetshme".


Kjo lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Gjithashtu Gjykata e Apelit ka vendosur që të lërë në fuqi edhe vendimet e dënimit për Gentian Cakën e Roland Shytin të dënuar me nga 25 vjet burg.


Lihen në fuqi vendimet e dënimit për të pandehurit Kreshnik Spahiu, Nikolin Novruzaj e Leart Shyti me nga 24 vjet burg secili. Gjithashtu edhe vendimi i dënimit për të pandehurin Dritan Hate me 23 vjet burg lihet në fuqi.


Ndërsa për të pandehurin Pasho Nevruzaj vendimi i dënimit të tij me 22 vjet burg ndryshohet dhe dënohet përfundimisht me 17 vjet burg dhe për të pandehurin Gëzim Gjoni nga dënimi me 10 vjet burg, ndryshohet në 5 vjet heqje lirie"-thuhet në dispozitivin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, duke justifikuar uljen e dënimit me pushimin e akuzave të "falsifikim të dokumenteve" dhe "mbajtjes së armëve pa leje".


Me vendimin e djeshëm, ku 10 të pandehurit u dënuan në formën e prerë u mbyll edhe procesi më i gjatë gjyqësor i zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, ku pas 13 viteve të pandehurit u deklaruan fajtorë në formën e prerë.


Krimet


Sipas vendimit, 10 të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në kuadër të organizatës kriminale të quajtur "Hakmarrja për Drejtësi" kanë kryer krime, që nga vrasja, rrëmbimi, vjedhja, plagosja dhe falsifikimi i dokumenteve zyrtare.


"Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të dëshmive, provave, pyetjen e dëshmitarëve dhe shumë akt-ekspertime dhe procesverbale të këqyrjes së vendngjarjeve është arritur në përfundim se të pandehurit i kryenin vjedhjet në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke i ndarë fitimet në bazë të personave që merrnin pjesë në këto vjedhje,-thuhet ndër të tjera në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.


Sipas këtij vendimi, është provuar se të pandehurit në kryerjen e 13 vjedhjeve me dhunë kanë përfituar një shumë prej rreth 508 mijë dollarë amerikanë dhe rreth 30 milionë lekë të reja.

VENDIMI I APELIT


Altin Arapi ka fituar azil politik në Belgjikë, dënohet me burgim të përjetshëm
Orik Shyti ka fituar azil politik në Zvicër, dënohet me burgim të përjetshëm
Kreshnik Spahiu ka fituar azil politik në Zvicër, dënohet me 24 vjet burg
Nikolin Novruzaj ka fituar azil politik në Holandë, dënohet me 24 vjet burg
Pasho Novruzaj ka fituar azil politik në Holandë, dënohet me 17 vjet burg
Roland Shyti, në kërkim ndërkombëtar, dënohet me 25 vjet burg
Gentian Caka, në kërkim ndërkombëtar, dënohet me 25 vjet burg
Leart Shyti, në kërkim ndërkombëtar, dënohet me 24 vjet burg
Dritan Hate, gjykohet në gjendje të lirë, dënohet me 23 vjet burg
Gëzim Gjoni, gjykohen në gjendje të lirë, dënohet me 5 vjet burg

Si filloi "Hakmarrja për Drejtësi"


TIRANË- Historia e organizatës së quajtur "Hakmarrja për Drejtësi" filloi pasditen e datës 12 tetor të vitit 1996, kur Televizioni Shqiptar (TVSH) transmetoi lajmin se "në një apartament në qendër të Tiranës ishte zbuluar një arsenal i madh armësh".


Ky Lajm shoqërohej me pamje filmike, që tregonin një arsenal armësh të llojeve të ndryshme, por nuk thuhej asgjë për adresën ku ndodhej ky apartament dhe kujt i përkisnin, dhe kush u arrestua për këto armë. Lajmi u ndoq me kureshtje, duke pyetur se kush qëndron prapa këtyre armëve.


Tri ditë më pas, mediat e asaj kohe njoftuan se "vrasja e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, ishte urdhëruar nga burgu i Bënçës akuzë që më pas iu adresua anëtarëve të "Hakmarrjes për Drejtësisë". Pas kësaj kohe filloi edhe dalja në skenë e emrave të parë të të akuzuarve si pjesëtarë të kësaj organizate.


17 KRIMET PER TE CILAT AKUZOHET "HAKMARRJA PËR DREJTËSI"
29.01.1993- Grabitja dega e Bankës së Kursimeve, afërsisht 307 mijë dollarë
13.04.1993- Grabitja e shoqërisë "IAP", ku vidhen afërsisht 53 mijë dollarë
15.12.1993- Vritet tek "21 dhjetori" Sami Jata dështoi grabitja ndaj tij
11.08.1994- Shoqëria "Shkumbini Petrol" grabitet, merret kasaforta, ku u vodhën 2.6 milionë lekë të reja
12.10.1994- Grabitet shoqëria "IAP", merren 3.500 dollarë dhe plagoset roja Eduard Trimi
13.12.1994- Vidhet me pasojë vdekjen Pal Prendi nga Vlora, punonjës i "Gjallicës". Grabiten 2 arka me para. Shuma 3 milionë lekë.
14.01.1995- Grabitet argjendaria "Agron", në vlerën 576.377 lekë të reja
20.01.1995- Grabitet Banka e Kursimeve dega në Vlorë, në vlerën 2.6 milionë lekë
21.01.1995- Grabitet e "INSIG", merren rreth 156 mijë lek të reja, plagoset punonjësi i shoqërisë
03.03.1995- Grabitet Ndërmarrja e Lëndëve Djegëse në Tiranë "Butongas", vidhen rreth 430 mijë lekë të
12.04.1995- Vritet dhe i merren lekët Pirro Koninit, punonjës i "VEFA"-s. Autorët morën 18 milionë e 500 mijë lekë
15.06.1995- Grabitet fabrika e sfungjerit "Albafon" në Laprakë ku u vodhën rreth 940 mijë lekë të reja
31.10.1995- Rrëmbehet fëmija Erjon Nushi, për të kërkohen 200 mijë dollarë, lirohet 3 ditë pa marrë para
12.01.1996- Grabitet filiali i shoqërisë "VEFA" në Vlorë, merren 145 mijë dollarë
18.04.1996- Grabitet Banka Kombëtare Tregtare dega Vlorë, merren 2.2 milionë lekë të reja
26.02.1996- Shpërthehet super-marketi i "VEFA"-s në Tiranë, vriten katër persona plagosen 17 të tjerë
26.07.1996 - Vritet ish-drejtori i burgjeve, Bujar Kaloshi në afërsi të shtëpisë së tij


PROCESI
Kalvari 12-vjeçar i "Hakmarrjes"


TIRANË- Më 14 tetor 1998, Prokuroria e Përgjithshme e dërgoi zyrtarisht çështjen e organizatës "Hakmarrja për Drejtësi" në gjykatë, me provat e grumbulluara dhe hetuara që nga viti 1996.


Të pandehur e kësaj dosjeje ishin 11 të pandehur: Orik, Roland dhe Leart Shyti, Altin Arapi, Nikolin e Pasho Novruzaj, Kreshnik Spahiu, Gentian Caka, Dritan Hate, Gëzim Gjoni dhe Enkelejd Agaj i cili u vra më 8-janar të vitit 1999 nga persona të paidentifikuar.


Pas 190-seancave gjyqësore, ku 100 prej tyre dështuan dhe vetëm rreth 80 të tilla u realizuan, kur kishin kaluar gati tre vjet dhe dy prokurorët e çështjes u arratisën nga Shqipëria, procesi u mbyll.


"Gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk kishte prova të mjaftueshme për dënimin e 10-të pandehurve, ndaj pushohet çështja"- tha asokohe gjykata. Pas apelimit të vendimit, çështja arriti pranë Gjykatës së Apelit më datë 30-prill të vitit 2003, e cila la në favor vendimin e shkallës së parë.


Prokuroria e Apelit bëri rekursin në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë, e cila me datën 12-qershor të vitit 2003 vendosi në dhomën e këshillimit që të mos futet në gjykim, por çështja t'i kthehet për rigjykim Shkallës së Parë.


Në muajin tetor të vitit 2003, çështja i kaloi Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila pushoi 8 akuza nga 24 të tilla dhe më datën 14-shtator të vitit 2004 e depozitoi çështjen për gjykim në Gjykatën Krimeve të Rënda.

---------------------------------------------------------------------------------------------------

"Hakmarrja Shqiptare e Drejtësisë" cilëson procesin si të paragjykuar


Vëllezërit Orik e Leart Shyti, të cilësuar nga organet e drejtësisë si anëtarë të organizatës "Hakmarrja për Drejtësi" kanë reaguar dje pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda të dhënë në ngarkim të tyre për shumë akuza.


Ata e kanë cilësuar vendimin si të përgatitur ndaj tyre, duke e etiketuar edhe si politik, duke akuzuar në mënyrë direkte kryeministrin e vendit Sali Berisha. "Në orën 14.00 të datën 7 korrik 2009, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda kishte njoftuar avokatët se do jepte vendimin për "Hakmarrjen".


Por trupi gjykues nuk u paraqit në sallën e gjyqit as në orën 15.00 dhe askush nuk dinte të jepte arsyen. Në datën 8 korrik marrim vesh se gjykata e ka dhënë vendimin në orën 17.00. Nuk e njohim përmbajtjen e vendimit, por thuhet se Gjykata është shprehur se ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallë së Parë,- thotë deklarate 3e vëllezërve Shyti e mbërritur në Redaksi me postë elektronike.


Më tej ata pohojnë: "Vendimi, jo vetëm për ne, por edhe për shumëkënd që e di se pushteti personal i Sali Berishës është i pakufishëm, nuk ishte i papritur". Sipas tyre, problemet me gjyqtarët kanë qenë vetëm një alibi, për të shtyrë pretekstin deri në dhënien e vendimit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›