E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti kroat, Mesiç flet për pavarësinë e Kosovës, ikin serbët

Pjesëmarrësit serbë të Shkollës Verore të Demokracisë në Strasburg, kanë braktisur fjalimin e presidentit kroat Stipe Mesiç, kur ky i fundit ka folur për pavarësinë e Kosovës si realitet.

Siç bën të ditur agjencia kroate HINA, e cila thirret në burime pranë delegacionit kroat, serbët nga Serbia, Mali i Zi, Republika Serbe e Bosnjës por edhe nga Kosova kanë braktisur takimin në Strasburg, të organizuar nga Këshilli i Evropës, kur presidenti kroat në mes të tjerash ka thënë se Kosova sot është realitet, të cilin e ka pranuar Kroacia.

Mesiç, ndër të tjera ka thënë se, edhe nëse nuk e ka ndërmend të njohë pavarësinë e Kosovës, Serbia duhet të mundësojë bashkëpunimin rajonal dhe jo ta pengojë atë - fjalë të cilat kanë bërë që serbët - në mesin e të cilëve kishte gazetarë, përfaqësues të partive politike dhe ekonomistë - të braktisnin këtë takim.

Mesiç ka thënë se i vjen keq që kanë ikur ata, duke vlerësuar se ata është dashur të qëndronin dhe të diskutonin për këtë çështje./Telegrafi/



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›