E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ në mes të qershorit certifikon rezultatin

06/06/2011  Vendimi i gjykatës favorizon Lulzim Bashën në garën për Tiranën

Në rast se nuk do ketë ankimime, atëherë shpallja e fituesit pritet më herët

15 qershori pritet të jetë data kur KQZ të certifikojë përfundimisht fituesin e Bashkisë së Tiranës. Kjo është koha limit që do t’i duhet në rast se Kolegji Zgjedhor do të vazhdojë me ankimimet e PS-së për tabelën përfundimtare të rezultatit. Në një rast tjetër, pra në qoftë se PS nuk ka më ankimime të tjera, vendimi i Kolegjit hyn në fuqi menjëherë pas zbardhjes së tij, që është dita e sotme, dhe është detyrim ligjor i KQZ për të dhënë verdiktin final se kush do ta drejtojë bashkinë për katër vitet e ardhshme. Juristët janë të mendimit se pas vendimit të datës 3 qershor e gjitha tashmë është vetëm një procedurë rutinë që të certifikohet fitorja e kandidatit “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha si kryetar i ri i Bashkisë së Tiranës. Sipas tyre, vendimi i datës 3 qershor rrëzon të gjitha pretendimet që mund të ngrihen nga ana e rivalit të tij, siç është çështja e rezultatit përfundimtar ku PS pretendon se numri i votuesve me fletët e gjetura në kuti nuk rakordon. Gjithsesi, specialistët e shpjegojnë këtë me faktin se ngatërresa që është bërë me hedhjen e fletëve të votimit në kuti të tjera, si dhe përfshirja dy herë e tyre në rezultat nga ana e numëruesve ka sjellë dhe një ngatërresë të tillë. Në momentin e parë PS, pavarësisht se pretendoi për manipulime, futje të paligjshme votash nëpër kuti etj. etj., sërish nuk pranoi ta ankimonte këtë rezultat, i cili doli si pasojë e numërimit të fletëve të kontestuara nga KQZ, e cila në atë kohë kishte marrë rolin e KZAZ. I gjithë debate u përqendrua në faktin nëse duhej të numëroheshin fletët e hedhura në kutitë e tjera, të cilat në shumicë kishin shprehur qartësisht vullnetin e zgjedhësve. Kjo ishte dhe pika thelbësore e këtij debati, si dhe shpresa më e madhe për socialistët, që kërkonin të ruanin me çdo kusht 10 votat që Rama ishte përpara nga numërimi i parë. Vetë Rama në një konferencë për shtyp, atakoi pas një dite vendimin e Kolegjit, duke u shprehur se më këtë akt drejtësia në vendin tonë ka rënë sipas tij. Rama u shpreh se do të vazhdojë rezistencën ligjore, por pa përmendur gjuhën e ashpër të protestave, siç ndodhi në mesin e muajit të shkuar, kur KQZ mori vendimin për numërimin e votave të hedhura në kutitë e tjera.

Kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, sërish preferoi të frenojë entuziazmin e tij, por edhe të fansave që e mbështesnin ditën e premte, duke mos e konsideruar vendimin e Kolegjit si fitore të tijën, por një fitore të demokracisë faktin se u lexua vota e çdo qytetari. BAsha do të shprehej se do të priste deri në fund përfundimin e procesit dhe më pas do shprehej si fitimtar i betejës së tetë majit, e cila për rezultatin e ngushtë që prodhoi në Tiranë, do të mbahet mend në historinë e zgjedhjeve tona.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›