Ish ushtaraket edhe komandot do të depozitojnë dosjet pranë ISSH-së
06/06/2011 Zgjerohet më tej lista e pensioneve të lidhura për ish-ushtarakët. Gjatë ditës së djeshme, organet e sigurimeve shoqërore kanë bërë publike edhe listën me 130 emrat e rinj, të cilëve u janë llogaritur përfitimet gjatë javës që lamë pas. Bashkëngjitur shkrimit do të gjeni të plotë emrat e përfituesve të rinj, që i përkasin kryeqytetit, Durrësit,Vlorës dhe Elbasanit. Megjithatë, drejtuesit e këtij institucioni bëjnë me dije se ky proces, duke filluar nga kjo javë pritet të përshpejtohet edhe më shumë, duke qenë se edhe dikasteret e tjera që do t’i vijnë në ndihmë Ministrisë së Mbrojtjes për plotësimin e dokumentacioneve të kërkuara për përfituesit, do të fillojnë të depozitojnë dosjet pranë sigurimeve shoqërore, ku bëhet dhe llogaritja. Kreu i Drejtorisë së Përfitimeve pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Agron Ahmetaj, shprehet se tashmë krahas përfitimeve të parakohshme për kategoritë që u ka lindur e drejta e pensionit duke filluar nga korriku i 2009-s, kanë nisur llogaritjet edhe për kategoritë e tjera të përfituesve, siç janë pensionet e pleqërisë të para 1991. “Deri më tani procesi ka ecur me ritme më të shpejta për përfitimet e parakohshme, ku pas mbërritjes së dosjeve nga institucionet përgjegjëse pothuajse ka shkuar drejt fundit lidhja e pensioneve për rreth 1500 personat të cilëve u ka lindur e drejta e pensionit nga 1 korriku i 2009-s. Por krahas kësaj kategorie, tashmë ka nisur puna edhe për pensionet e pleqërisë të para 91-shit. Megjithatë, duke filluar nga kjo javë e në vijim mendojmë që puna do të ecë me ritme më të shpejta, pasi presim që edhe strukturat e tjera që do t’i vinë në ndihmë Ministrisë së Mbrojtjes, siç janë komandot, të nisin dorëzimin e dosjeve përkatëse me të dhënat e kërkuara për llojet e tjera të përfitimeve me të cilat do të trajtohen ish-ushtarakët. Kështu, ne presim që numri i dosjeve që do të dorëzohet nga të gjitha këto struktura të pësojë rritje të ndjeshme. Deri më tani fluks më i lartë ka rezultuar në kryeqytet, ndërsa rrethet kanë qenë më të qeta. Por pavarësisht kësaj, në asnjë rast pranë institutit nuk janë mbledhur stok dosjet për llogaritjen e pensioneve. Menjëherë sapo kanë ardhur informacionet nga ministritë përkatëse, brenda 48 orëve edhe ekspertët kanë caktuar përfitimet, të cilat tashmë ne i kemi bërë publike javë pas jave”, ka pohuar Ahmetaj. Në kërkesat dërguar ministrive, sigurimet shoqërore kanë kërkuar prej tyre plotësimin e dy formularëve: një për vërtetimin e vjetërsisë së shërbimit dhe të pagës mesatare referuese, dhe një për pagën referuese në muajin e lindjes të së drejtës për përfitim. Plotësimi dhe dorëzimi i këtyre të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe SHISH-i i hap udhë të menjëhershme procesit të llogaritjes së ndarjes së parave. Vetëm pas marrjes së formularëve të plotësuar, sigurimet mund të bëjnë llogaritjen e masave të pensionit që do të jepet për secilën kategori.
Të gjithë ushtarakët që mund të jenë të pakënaqur për llogaritjen e përfitimit ose për rillogaritjen e përfitimit, mund t’i drejtohen ISSH-së për rishikimin e masës së përftimit. Në rast se edhe kjo përgjigje është negative, në zbatim të Kodit Civil, kanë të drejtë t’u drejtohen gjykatave. Llogaritja është e thjeshtë për çdo përfitues. Në zbatim të aktit normativ nr. 5, datë 10.11.2010, vjetërsia e shërbimit shumëzohet me 1.5 % dhe ajo që del shumëzohet me pagën neto mesatare referuese. Kjo shumë nuk mund të jetë më e vogël se një pension bazë.
Të gjithë ushtarakët që mund të jenë të pakënaqur për llogaritjen e përfitimit ose për rillogaritjen e përfitimit, mund t’i drejtohen ISSH-së për rishikimin e masës së përftimit. Në rast se edhe kjo përgjigje është negative, në zbatim të Kodit Civil, kanë të drejtë t’u drejtohen gjykatave. Llogaritja është e thjeshtë për çdo përfitues. Në zbatim të aktit normativ nr. 5, datë 10.11.2010, vjetërsia e shërbimit shumëzohet me 1.5 % dhe ajo që del shumëzohet me pagën neto mesatare referuese. Kjo shumë nuk mund të jetë më e vogël se një pension bazë.