KQZ nuk e prejudikon certifikimin e listës unike “Serbia”

Në Zyrën për regjistrimin e partive politike në KQZ, po vazhdon shqyrtimi i dokumentacionit të subjekteve që kanë aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Deri më tani janë certifikuar 52 subjekte, ndërsa zyra po shqyrton dokumentacionin edhe të 52 subjekteve të tjera. Drejtuesit e kësaj zyre, nuk duan të prejudikojnë se a do të certifikohet edhe lista unike “Serbia” apo jo.
Nga 105 subjekte politike sa kanë aplikuar për certifikim në KQZ, deri më tani 52 janë certifikuar, ndërsa një iniciativë qytetare është tërhequr nga gara. Kanë mbetur edhe 52 subjekte të tjera për t’u shqyrtuar. Udhëheqësja e Zyrës për Regjistrimin e Partive politike në KQZ, Miradije Mavriqi thotë se po vazhdon puna për kontrollimin e dokumentacionit të subjekteve të mbetura.
“Na kanë mbetur edhe 52 subjekte pa u certifikuar, mirëpo jemi në afat ligjor”, tha Mavriqi për Radio Kosovën.
Ndërkohë, e pyetur për listën unike “Serbia” nëse është shqyrtuar ende dokumentacioni i saj, Mavriqi tha se është në proces shqyrtimi i dokumentacionit të subjekteve të mbetura, ndërsa nuk deshi të prejudikoi për këtë listë.
“Nuk prejudikoj, në proces jemi. Unë po tregoj se jemi në proces të kontrollimit të dokumentacionit. Kjo është e tëra”, theksoi Mavriqi.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë të ditur se Qeveria do të mbështes çdo vendim të KQZ-së që është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, ndërsa ka ftuar atë të respektojë marrëveshjet e arritura. /Indeksonline/