E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ ose institucioni i keqkuptuar

Denar Biba/ish-nënkryetar i KQZ-së

-Organizimi dhe funksionimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është  rregulluar nga Kodi Zgjedhor, një ligj  i cili miratohet nga një shumicë e cilësuar deputetësh të Kuvendit. Sipas këtij Kodi, KQZ është organi më i lartë shtetëror i  përhershëm, i ngarkuar për administrimin  e zgjedhjeve, në përputhje me rregullat e  përcaktuara prej tij. Në rrethanat e krijuara  pas dorëheqjes së tre anëtarëve të tij, KQZ  po i merr vendimet me numrin minimal të  pranueshëm nga ligji. Formalisht, pjesa më  e madhe e vendimeve të KQZ konsiderohen  si “konform ligjit” mjaft që “pro” vendimit të  votojnë katër anëtarë por, nga ana tjetër,  këto janë edhe vendimet .më të parëndësishme, pasi Kodi Zgjedhor parashikon  që të gjitha aktet me karakter normativ (të tilla janë  ato vendime që rregullojnë në mënyrë abstrakte e të vijueshme, për sot e në të ardhmen, mbi marrëdhëniet më  të rëndësishme në lidhje me zgjedhjet) quhen të miratuar  vetëm pasi votohen “pro” nga të paktën pesë anëtarë të  KQZ. Ndër to, ende të pamiratuara, vërej se janë aktet  që do të parashikojnë rregulla të posaçme mbi procedurat e votimit dhe të numërimit të votave, respektivisht  në projektet teknologjikë të qarkut të Tiranës dhe Fierit. E mbetur vetëm me katër anëtarë, përtej emrave individualë apo strukturave parlamentare që i kanë propozuar  ata përpara Kuvendit, duke anashkaluar madje edhe pamundësinë për të realizuar funksionin e tij për të miratuar  të gjithë tërësinë e akteve të kërkuara për mbarëvajtjen  e zgjedhjeve, përpara së gjithash KQZ ka humbur besueshmërinë e tij si një institucion i pavarur dhe apolitik. Për  fat të keq, sot nuk mund të gjesh asnjë njeri me mend  në kokë, shqiptar apo të huaj të interesuar për çështjet  tona, që të mendojë e besojë se, çfarë ka mbetur nga ai  që dikur ishte Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mund të  realizojë misionin ligjor për të siguruar zgjedhje të lira e  të ndershme në vend.  

KQZ sot është në krizë institucionale dhe kjoështë  posaçërisht rrjedhim i veprimeve të Kuvendit e jo të  veprimtarisë së vetë Komisionit. Mendoj që duhet të  theksoj se, si unë, por duke qenë se dorëheqjet e tyre janë  argumentuar publikisht, edhe kolegët Shtylla e Jani nuk  vendosëm të ndërpresim vullnetarisht detyrën në shenjë solidariteti me një koleg të shkarkuar në kundërshtim  me ligjin, por, për diçka shumë më parimore se kaq. Ajo  që në deklaratën time të dorëheqjes e kam cilësuar si  “shumica e rastit e deputetëve të Kuvendit” - ndoshta një  ndër shumicat më oportuniste të para ndonjëherë, duke  votuar shkarkimin e një anëtari të Komisionit Qendror të  Zgjedhjeve, kreu një akt jashtëzakonisht shumë të rëndë  në dëm të parimeve themelore të ndarjes së pushteteve,  konstitucionalizmit dhe shtetit të së drejtës. Megjithëse  u argumentua si nevojë për të balancuar politikisht KQZ,  në thelb akti ishte një tregues i qartë i mungesës së plotë  të vullnetit për të ndërtuar institucione të pavarura në  Shqipëri. Kam lexuar matrapazë të fjalës që kanë shkruajtur analiza të çuditur e me përçmim në lidhje me këtë  “donkishotizmin” tonë për pavarësi. S’kanë faj, shpirtrat  e skllavëruar heqin keq të gjallojnë në liri. Në Shqipërinë e këtyre ditëve kur vlerat e parimet shiten edhe në  mes të sallës së parlamentit, të luftosh për pavarësinë  e institucioneve ngjason vërtet me betejat e famshme  të Don Kishotit me mullinjtë e erës. Por a nuk iu bëjnë  përshtypje deklaratat e miqve ndërkombëtarë në lidhje  me këtë? Jo më larg se dje, Komisioneri për Zgjerimin në  BE, z.Stefan Fyle, ka deklaruar në Bruksel se “Apelojmë  që të gjitha palët të rinovojnë konsensusin për KQZ-në.  Të gjitha partitë politike kanë detyrimin që të sigurinë  besueshmërinë e KQZ-në. Ky institucion duhet të jetë i  pavarur”. Përse përfaqësuesit e institucioneve demokra-tike perëndimore, të cilët e njohin shumë mirë nivelin e  cilësisë së demokracisë shqiptare, vijojnë të këmbëngulin  për një KQZ të besueshme e të pavarur, e jo për një KQZ  të balancuar politikisht? Përgjigja sipas meje është se,  një institucion thjesht i balancuar kënaq vetëm interesat e ngushta të politikës për të bërë (thjesht) zgjedhje,  ndërsa një KQZ e cila vepron dhe  duket e pavarur (se edhe të dukurit  ka rëndësi) kënaq përpara gjithçkaje  interesat e shqiptarëve, rrit besimin  e tyre te demokracia dhe institucionet e shtetit të së drejtës, i bën  ata të ndihen sovranë të vërtetë të  këtij vendi. Thënë këtë, kërkesa për  të riformatuar KQZ është një imperativë imediate, sa ligjore aq edhe  kushtetuese.  

Situata është e rëndë, e paprecedent dhe zgjidhja e saj aktualisht e ka tejkaluar formulën  mekanike të parashikuar nga Kodi Zgjedhor. Nuk është  çështje emrash. Nuk ka qenë asnjëherë. Këtu tashmë  bëhet fjalë për cenim të konceptit të pavarësisë së  institucionit. Anëtarët e tij u trajtuan nga politika (një  pjesë e saj në fakt) si anëtarë të rëndomtë partie. E  bënë këtë publikisht, madje edhe u përpoqën ta argumentojnë. Të këqijtë tanë, të këqijtë tuaj, mjaft që peshorja të jetë e balancuar. Kjo është e papranueshme.  Ndaj edhe dhashë dorëheqjen. E kam deklaruar edhe  në media të tjera, çdo ligj i lejon përdoruesit të tij një  hapësirë të caktuar vlerësimi, diskrecioni. Kodi Zgjedhor, për shkak se është shumë i detajuar, ndoshta lejon më pak se çdo ligj tjetër. Përsa më ka lejuar kjo  hapësirë, kam vepruar me interesat e opozitës për  zemër, por kurrë përtej kësaj, kurrë në shkelje të limiteve ligjore. Politika e përdhosi këtë qëndrim timin,  tonin, parimor, idealist e të sinqertë. Politika rrënoi besimin e qytetarëve te ky institucion, duke e trajtuar atë  si dy celula partiake të mbledhura në një sallë. Politika  e nisi, ajo edhe duhet të gjejë mekanizmat për të kthyer  KQZ në një institucion të cilit shqiptarët ti besojnë administrimin e zgjedhjeve.

Një tjetër problem që meriton të trajtohetështë edhe  ai përbërjes së KZAZ. Këto të fundit tashmë janë konstituuar, madje anëtarët e tyre prej javësh kanë bërë  betimin e nisur punën. Ndryshimi i konfiguracionit politik, me daljen e LSI-së nga koalicioni qeverisës dhe kalimi i saj në opozitë së bashku me PS e parti të tjera, ka pas sjellë de facto zhbalancimin e këtyre strukturave  me shumë rëndësi për procesin zgjedhor. Ndryshe nga  KQZ, i cili parashikohet nga Kodi Zgjedhor si institucion  i përhershëm (prandaj edhe anëtarët e tij kanë mandate  6 vjeçar të rinovueshëm) dhe i pavarur, apolitik (veprimtaria politike e anëtarëve të KQZ-së është paraprakisht  ndalesë për zgjedhjen dhe më pas shkak për shkarkimin  e tyre), KZAZ janë institucione që ngrihen vetëm për një  palë zgjedhje parlamentare dhe anëtarët e tyre mund të  jenë anëtarë partie. Në lidhje me formësimin e KZAZ ligji  zgjedhor parashikon termin “barazpeshimi politik shumicë-opozitë”. Në këtë pikë, gjykoj  se KZAZ janë larg të qenit legjitime.  Çfarë më shqetëson është se edhe  në lidhje me këtë problem, zgjidhja  nuk mund të jetë më ligjore. Kodi  Zgjedhor nuk parashikon praktikisht në asnjë nen të tij mundësinë  e shkarkimit të anëtarëve të KZAZ  thjesht sepse janë prishur balancat politike. Çdo veprim i KQZ për  shkarkimin e cilido anëtari, ndonëse  parimisht do të ishte i drejtë, formalisht nuk ka bazë ligjore.

Në fund të këtij shkrimi mbi situatën në KQZ vërej se,  fatkeqësisht, ngjarja e fundit me pasojë rrënimi e reputacionit të KQZ në sytë e qytetarëve nga politikanë me  mentalitet autoritar e antiperëndimorështë vetëm një  nga episodet e serisë që nisi me miratimin nga shumica  parlamentare të vendimit për ndarjen e mandateve, së  pari duke marrë një kompetencë që i përkiste thelbësisht  KQZ dhe, së dyti, duke iu referuar në lidhje me këtë  ndarje një vendimi të KQZ që nuk ishte më në fuqi e  që e kishte përllogaritur ndarjen e mandateve në bazë  të numrit të popullsisë së Shkurtit 2009. Një vendim i  Kuvendit që cenoi haptas barazinë e votës së qytetarëve  shqiptarë, pasi i dha votës së një banori të Kukësit peshë  specifike më të madhe se asaj të një banori të Durrësit  apo të Tiranës. Paradoksal e qesharakështë fakti se, ky  veprim i mazhorancës iu kthye asaj kundër interesave,  tashmë që LSI hyri në koalicion me PS.  Sot, kokëfortësia e paprinciptë e po të njëjtës shumicë ka vënë në pikëpyetje fatin e KQZ e, bashkë me  të, edhe atë të zgjedhjeve në vend. Po e mbyll këtë  shkrim me pesimizëm për të ardhmen e këtij institucioni të keqkuptuar, duke cituar z. Rob Benjamin nga  Instituti Demokratik Kombëtar i cili dje u shpreh nga  Uashingtoni se “KQZ nukështë një parti politike, por institucion që administron zgjedhjet. Nëse nuk bihet dakord  dhe vendos Parlamenti ato që duhet të vendosë KQZ-ja,  kjo nukështë një rrugë e mirë”. Por kambanat- thonë,  bien për ata që kanë veshë.    


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›