Pragma(j)tizmi
Tani kemi një të majtë të bashkuar, por jo një opozitë të bashkuar, dhe nga ana tjetër kemi një koalicion qeverisës të bashkuar, por jo një të djathtë të bashkuar. Aleanca Kuqezi dhe Fryma e Re Demokratike, njëra më shumë e majtë e tjetra e djathtë, po tentojnë të shkojnë të vetme në votime, njëra duke krisur koalicionin e majtë e tjetra duke i bërë sfidë koalicionit të djathtë.
Në këtë pikë shihet qartë se opozita është e favorizuar të fitojë pasi ajo pasi ka bashkuar gjithë gjymtyrët e saj, ka në favor dhe dy forcat e pavarura opozitare, ndërsa PD-ja përveçse nuk ka asnjë energji të reja në koalicion, ka dhe një sfidë nga një parti e dalë nga strukturat e saj.
Por ky zhvillim, i cili ngjan se do të jetë fotografia e fundit e koalicioneve të 23 qershorit, nuk ka më një logjikë pragmatiste siç u promovua. Ceremonia e tejfryrë e Shkodrës, si një dasmë me shumë dëshmitarë nga frika e divorcit, në të vërtetë reflektonte një majtizëm të pastër, një koalicion liberal, mbështetur mbi parime të së majtës, kundër tendencave nacionaliste dhe ksenofobe dhe pagëzuar nga aleatët e majtë fqinjë në Ballkan. E gjithë kjo i jep sens përfshirjes së Vangjel Dules brenda koalicionit të majtë dhe forcon portretin e moderuar të koalicionit të majtë. Pavarësisht kujtesës së papritur të Berishës për tu bërë anti-serb me Fazlliçin në dhomë të pritjes çdo ditë, ky është një parim më normal majtist, por jo pragmatist siç u tha, kur u njoftua bashkimi LSI- PS. Ky është një zhvillim normal i së majtës, me parimet e veta dhe nuk ka të bëjë fare me konceptin e opozitës së bashkuar që funksiononte si ide derisa u bë ky bashkim. Në këtë pikë bien të gjitha argumentet, sidomos ato të miat, për bashkim kundër regjimit apo për të majtë e të djathtë kundër Berishës. Ky është një koalicion i pastër i majtë, i guximshëm nga pikëpamja politike dhe shumë i pranueshëm ndërkombëtarisht. Pra, nuk është mirë që tani e tutje të ngatërrohen argumentet kur flitet për koalicionin opozitar. Ai duhet mbështetur si një koalicion i majtë, i mirësistemuar dhe i plotë, por jo si një koalicion pragmatist.
Dy subjektet e tjera politike, AK dhe FRD, që janë të rreshtuara në opozitë, kanë ngelur në mënyrë natyrale të vetme, pasi koalicioni opozitar nuk u ndërtua mbi frymën e një opozite të bashkuar, por mbi frymën e një të majte të bashkuar, ku siç thotë dhe Ilir Meta, nuk është një koalicion anti- Berishë, por një lëvizje për ndryshim politik të pushtetit.
E vetmja vlerë që duhet të tregojë koalicioni i majtë me dy subjektet e tjera opozitare është vendosja e një bashkëpunimi të mundshëm jozyrtar mes tyre për etikën në fushatën elektorale, dhe ndihmën për ruajtjen e votave, me qëllim që ta bëjnë më të lehtë bashkimin e tyre në një koalicion paszgjedhor në qeverinë e re të pas 23 qershorit.
Zhvillimi i dytë i pritshëm, ai i bashkimit në një koalicion të FRD me AK, është çështje llogarish elektorale. Frika e mosmaksimalizmit të votave, apo e pragut të lartë të koalicionit në Tiranë, mund ti lërë ata të vetëm në zgjedhje, por me një raport jozyrtar me koalicionin opozitar.
Edhe pse jo shumë racionale, kjo opozitë do ta mundë Sali Berishën. E majta e bashkuar dhe dy parti të tjera në qendër, po ashtu opozitare, krijojnë në elektorat një frymë shumë më të fortë ndryshimi se sa statukuoja e PD dhe pozicioni i mbijetesës politike të PD me Sali Berishën.
Problemi i vetëm që unë shikoj, është që nervozizmi i strukturimit të koalicioneve të mos kthehet në debat politik shterpë. Spahiu nuk ka pse gjen arsye të kota përse nuk ka hyrë në koalicion me të majtën, duke e kushtëzuar atë me arrestime, bashkime trojesh apo deklarata ksenofobe, pasi kjo është sikur tu thuash nuk dua të vij me ju. Socialistët po ashtu nuk kanë pse thonë më se ne udhëhiqemi nga pragmatizmi në ndërtimin e koalicionit, pasi është më normal ky tip koalicioni që ndërtuan, bazuar mbi majtizmin, se sa justifikimi i tyre mbi pragmatizmin. E rëndësishme është të ruajnë frymën e bashkëpunimit opozitar, tashmë që ka dhe 24 orë për të vendosur nëse janë pragmatistë apo pragma(j)tistë.
