E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ paralajmëron sfida për votim të rregullt në zgjedhjet e nëntorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve paralajmëron sërish telashe me emrat e votuesve në qendrat e votimit. Gabimet në vendosjen e të ashtuquajtura p-code për zonat rurale dhe ud-code për ato urbane si dhe mungesa e regjistrit të adresave të vendbanimeve sipas KQZ-së do të shtojnë sërish numrin votave me kusht,por edhe humbjen e tyre.

Florian Dushi anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thotë se periudha e shërbimit të votuesve për t’u verifikuar emrat e tyre në qendrat e votimit nuk po shfrytëzohet aspak. Këtë sipas tij e tregon numri prej vetëm 40 personave në nivel të Kosovës që kanë verifikuar të dhënat e tyre.

“Me që nuk kemi një adresë të saktë të adresave kemi probleme me listën e votuesve dhe kjo bën që shpesh qytetarët të votojnë me kusht ose të mos votojnë fare”, i ka thënë Dushi Radio Kosovës.

Sipas tij gjithashtu kodet identifikuese do të jenë sërish problem për listat e KQZ-së.

“ Gabimet në vendosjen e ‘p-codeve’ dhe ‘ud- codeve’, reflekton në gabimet që bënë KQZ më pas në listën e votuesve”, ka thënë Dushi.

Por kryeshefi i Agjencisë së Regjistrit Civil Abedin Mehmeti thotë se ky problem goxha shumë është eliminuar,transmeton RTK.

“ Deri më tani grupet e përbashkëta të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Komisionit qendror të Zgjedhjeve i kanë përmirësuar rreth 60 p- code dhe ud-code”,i ka thënë Mehmeti Radio Kosovës.

Megjithatë në nivel të Kosovës janë rreth 150 mijë raste të adresave që llogariten të jenë regjistruar me gabime./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›