Karaqevasit ende të kërcënuar nga xhandarmëria

Banorët e fshatit Karaqevë ende nuk ndjehen të sigurt për shkak të gjashtë pikave kyçe, në të cilat është e koncentruar xhandarmëria serbe përgjatë vijës kufitare me Kosovën.
“Karaqeva tashmë është më e qetë dhe ka një siguri për shkak të prezencës së përhershme të Policisë kufitare”, ka thënë Selver Lenjani, përfaqësuesi i fshatit.
Lenjani thotë se qetësia në Karaqevë është mundësuar falë angazhimit të sinqertë të Bajram Rexhepit, Shpend Maxhunit dhe Nebih Aliut.
“Karaqeva i është falënderues këtyre zyrtarëve të lartë, sepse jemi shumë më mirë se më parë. Frikë nuk kemi, edhe pse mbetet shumë frikësuese prania e xhandarmërisë serbe në gjashtë pikat kyçe përgjatë vijës kufitare”, tha Lenjani për rajonipress.
Lenjani tha se xhandarmëria edhe pse është larguar nga kufiri në Karaqevë për disa metra, ajo vazhdon të mbetet e koncentruar në pikën e Ugarit, Stani i Malushit, Guri i bardhë, Roga, Çuka dhe varrezat e Spahiajve.
“Këto gjatë pika mbeten problem i përhershëm dhe ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës dhe vetë komanda e NATO-së që ta shfrytëzojnë autoritetin dhe të largojnë xhandarmërinë serbe edhe nga këto pika”, tha Lenjani./Indeksonline/