E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ plan për të hapur të gjitha kutitë e votave të gabuara

SHKRUAN: Fejzi Braushi 26-05-2011 11:49

Partia Socialiste do të dorëzojë sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën ankimore për të shpallur të pavlefshme procedurën e ndjekur nga KQZ-ja, e cila veproi si KZAZ për vlerësimin e votave të gjetura në kutitë e gabuara, si dhe nxjerrjen e tabelës së rezultateve përmbledhëse për gjithë Bashkinë e Tiranës. Socialistët, pavarësisht se s’kanë qenë dakord me këtë rol që mori KQZ gjatë kësaj faze, janë detyruar që për të mos rrezikuar me procedurat ligjore, ta paraqesin kërkesën e tyre pikërisht në këtë institucion, për të ezauruar fillimisht etapën e gjykimit administrativ të pretendimeve të saj. Ndërkohë që KQZ duket se ka gati zgjidhjen që do t’u japë pretendimeve që mund të ngrenë socialistët në kërkesën e tyre edhe për mos akordimin e shifrave, çështje kjo tek e cila ata kanë varur dhe shpresat më të mëdha në këtë betejë ligjore për Bashkinë e Tiranës. Në një rast të tillë institucioni më i lartë zgjedhor nuk përjashton mundësinë që të hapë dhe kutitë e tjera të votimit, për të gjitha qendrat e votimit ku u gjetën fletë votimi të hedhura gabim, në mënyrë që të bëjë dhe ballafaqimin e shifrave.

Kërkesa

PS-ja e ka ndarë mendjen dhe ka vendosur që sot në ditën e fundit që i lejon Kodi Zgjedhor, të paraqesë kërkesën ankimore përsa i përket rezultatit të Bashkisë së Tiranës në KQZ. Deri dje në mbrëmje një grup juristësh të kësaj force të kryesuar nga Fatmir Xhafaj kanë qenë duke punuar për formulimin e saj, ndaj për rrjedhojë nuk ka qenë e mundur të sigurohet një kopje e saj. Por burime nga PS kanë bërë të ditur se në objektin e saj goditet vendimet e KQZ-së të marra në datën 23 maj për miratimin e tabelës së rezultatit për njësinë numër 5, reflektimin në tabelat e rezultateve për të gjitha njësitë e votave të gjetura në kutitë e gabuara si dhe miratimi i tabelës përmbledhëse të rezultateve për të gjithë Bashkinë e Tiranës. Ndërkohë që në këtë kërkesë socialistët i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë mos rakordimit të tabelave të rezultateve të miratuara nga KQZ me shifrat e dala nga KQV-të. Kështu, sipas PS-së, për shkak të procesit të numërimit të votave të gjetura në kutitë e gabuara, numri i votave të reflektuara në tabelën e rezultateve është më i madh sesa numri i votuesve që kanë marrë pjesë në zgjedhje për disa nga qendrat e votimit ku dhe u gjetën fletë votimi të hedhura gabim dhe që u hapën nga KQZ. Gjithashtu, vend në këtë kërkesë ankimore gjen dhe pretendimi i socialistëve se gjatë këqyrjes së kutive të votimit ku ishin konstatuar fletë votimi të hedhura gabim, u evidentuan probleme të atilla që hedhin hije të forta dyshimi se në këto kuti janë futur duart dhe se vullneti i votuesve është tjetërsuar rrugës.

KQZ

Procesi i gjykimit administrativ dhe më pas ai gjyqësor ka futur palët në këtë proces zgjedhor në një përballje strategjish dhe masash respektive për të përballuar çdo lëvizje të kundërshtarit. Për t’i prerë rrugën çdo lëvizjeje kundërshtuese të mazhorancës, Partia Socialiste nuk ka dashur të japë dje shumë detaje për këtë kërkesë, në mënyrë që të mos i japë argumente mazhorancës që të marrë masat kundërvepruese, siç mund të jetë paraqitja e një kërkese tjetër ankimore. Megjithatë, burime pranë së djathtës kanë bërë të ditur se nuk përjashtohet mundësia që vetë PD-ja të paraqesë edhe ajo vetë një kërkesë ankimore ku të kërkojë rivlerësim të votave të shpallura të pavlefshme. Nga ana tjetër burime të tjera nga KQZ kanë bërë të ditur se ky institucion vet për të garantuar integritetin e procesit të numërimit të votave të gjendura në kutitë e gabuara në Tiranë, mund t’i përgjigjet pretendimeve të socialistëve për mos rakordim të shifrave me një vendim për të hapur kryesisht tri kutitë e tjera të votimit për të gjitha qendrat ku u gjetën fletë votimi të hedhura në mënyrë të gabuar. Por këto llogari të palëve do të kenë vlerë vetëm në rast se ditën e premte Kolegji Zgjedhor do t’i japë të drejtë pretendimeve të socialistëve për të shpallur pavlefshmërinë absolute të procesit të numërimit të votave të gjendura në kutitë e gabuara. Në rast të kundërt, pra në rast se Kolegji do të rrëzojë këtë pretendim të socialistëve, atëherë e gjithë kërkesa që do paraqesë sot PS në KQZ do merrte një goditje të fortë, pasi do të rrëzohej baza e saj që ka të bëjë me pavlefshmërinë e procesit të numërimit të këtyre fletëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›