PD sulmon Topin: Po ushtron presion mbi Kolegjin në favor të Ramës
Kryetari i PD-së për Tiranën, Aldo Bumçi pohoi se ka të dhëna që kreu i Shtetit po ushtron presion ndaj Kolegjit, në cilësinë e kryetarit të KLD-së. “Është deklarata publike e kreut të opozitës, që i ka kërkuar, pozicioni i tij dhe konflikti i interesit që ka votuar për Edi Ramën. Kemi të dhëna që ka presion mbi gjyqtarët”
Maxhoranca sulmon presidentin Bamir Topi, duke e akuzuar atë për presion ndaj Kolegjit Zgjedhor. Deputeti Aldo Bumçi, njëherazi kryetar i PD-së për Tiranën ka pohuar mbrëmë në emisionin “Debat” të Alfred Pezës se ndaj antarëve të Kolegjit Zgjedhor po ushtrohet presion si nga lideri i opozitës, Edi Rama ashtu edhe nga presidenti Bamir Topi. “Vota e Presidentit është publike. Nuk mund të jetë inskenim. Mund ta nxjerrin edhe kamerat tuaja. Hidhet fleta e verdhë në kutinë e gabuar. Pra, jemi dakord që e ka hedhur gabim. Ajo kuti është numëruar. Shqiptarët e dinë që ajo votë është për Edi Ramën dhe Edi Rama, publikisht i ka kërkuar si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që ka në varësi gjyqtarët, karrierën, promovimin dhe masat disiplinore”,-tha deputeti Bumçi gjatë emisionit. I pyetur direkt nëse kishte të dhëna për presion, deputeti Bumçi e çoi edhe më tej denoncimin e tij, duke shtuar se ka të dhëna që po ushtrohet presion mbi Kolegjin Zgjedhor, për detyrën që ata kanë. “Është deklarata publike e kreut të opozitës, që i ka kërkuar, pozicioni i tij dhe konflikti i interesit që ka votuar për Edi Ramën. Kemi të dhëna që ka presion mbi gjyqtarët. Kemi të dhënat tona që ka ushtrim presioni”,-përsëriti deputeti Bumçi gjatë emisionit të mbrëmshëm. Ai ka denoncuar kështu linjën Rama-Topi, se po bëjnë presion të hapur ndaj anëtarëve të Kolegjit, në kohën që vendimi përfundimtar për Tiranën do të vendoset në këtë institucion. Marrëdhëniet e Presidentit Bamir Topi me maxhorancën konsiderohen prej kohësh “të ngrira”, po zbulimi i votës së tij duket se shënon një pikë të pakthyeshme në këtë histori me plot ulje-ngritje. Nga ana tjetër, vota e Presidentit Topi ka hapur mjaft debat në qarqet politike dhe mediatike, pas publikimit të pamjeve filmike që tregojnë se ai ka votuar në kutinë e gabuar. Gjatë hapjes së kësaj kutie në KQZ u gjet vetëm një votë në favor të Ramës, ndërkohë që pak orë më vonë, Presidenca hodhi poshtë lajmin. Nëpërmjet zëdhënëses së Presidencës, Topi e cilësoi lajmin një spekulim mediatik dhe politik, duke pohuar se kishte votuar në mënyrë të rregullt dhe ligjore. Nga ana tjetër, në këtë deklaratë ai nuk i ka kursyer kritikat për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe vonesat në administrimin ligjor të rezultatit për Tiranën.