“KQZ, rol konstruktiv në zgjedhje, partitë të pranojnë rezultatin e 8 majit”

Kryeministri Sali Berisha, takohet me Zëvendësndihmëssekretari amerikan i shtetit Thomas Countryman
Zyrtari i Lartë amerikan Thomas Countryman i thekson kryeministrit Sali Berisha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po kryen një punë të mirë në përgatitjet për procesin zgjedhor dhe hartimin e listave të zgjedhësve. Në takimin e zhvilluar dje në mesditë ai nënvizoi rëndësinë që ka jo vetëm një proces zgjedhor sipas standardeve më të mira, por dhe roli dhe sjellja e partive politike në periudhën pas zgjedhore.
Kryeministri Berisha e njohu zotin Countryman me përgatitjet që po bëhen në vend në mënyrë që procesi zgjedhor i 8 Majit të arrijë standardet më të larta ndërkombëtare dhe i ri-konfirmoi atij angazhimin e plotë dhe të palëkundur të qeverisë shqiptare për arritjen e tyre. Kryeministri theksoi se pavarësisht tentativës së zotit Rama për të përsëritur skenarin bllokues të vitit 2007, falë kornizës ligjore konsensuale dhe bashkëpunimit të institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë, procesi i përgatitjes së zgjedhjeve po vazhdon me hapa të shpejtë. Kryeministri e siguroi Countryman se procesi zgjedhor i 8 Majit do të njohë standardet më të larta të transparencës, duke falënderuar për këtë edhe angazhimin e OSBE/ODIHR-it si dhe mbështetjen financiare që SHBA-të po i japin vëzhguesve vendas si dhe se mazhoranca është e angazhuar për një fushatë pozitive të fokusuar te interesat e qytetarit dhe të komuniteteve.
Kryeministri Berisha e njohu zëvendës asistent sekretarin e shtetit Countryman me zhvillimet e tryezës së partive politike parlamentare, e thirrur nga Partia Demokratike, me qëllim trajtimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it që i drejtohen në mënyrë specifike partive politike aktore në procesin zgjedhor për të marrë përsipër angazhimet politike dhe detyrimet ligjore që ato kanë në procesin zgjedhor. Kryeministri Berisha nënvizoi se marrëveshja e paraqitur nga mazhoranca, e cila përfshin edhe një numër kërkesash për transparencë dhe garanci të bëra nga Partia Socialiste, bën një zbërthim të detajuar të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe do të shërbente si një garanci shtesë për një proces zgjedhor të suksesshëm.
Kryeministri e njohu zotin Countryman edhe me arritjet e jashtëzakonshme në saktësinë e listave të zgjedhësve, si rrjedhojë e modernizimit të bërë nga qeveria me asistencë të OSBE-së të sistemit të gjendjes civile si dhe e siguroi atë se marrëveshja e nënshkruar nga disa parti parlamentare i garanton çdo subjekti zgjedhor transparencë të plotë të hartimit të këtyre listave.
Gjithashtu kryeministri Berisha nënvizoi se pavarësisht procesit zgjedhor, qeveria nuk e ka ulur për asnjë moment intensitetin e punës në drejtim të integrimit në BE dhe plotësimit të 12 prioriteteve të vëna. Në këtë kuadër kryeministri e cilësoi si shumë të rëndësishëm organizimin me sukses të Seminarit të përbashkët me Komisionin Evropian ku mori pjesë dhe Komisioneri për Zgjerim i BE-së zoti Stefan Fule. Ai e siguroi zotin Countryman se mazhoranca është e gatshme që për të gjitha ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe miratimin e Avokatit të Popullit t’ia japë iniciativën opozitës me qëllim arritjen e konsensusit të nevojshëm në kuadër të plotësimit të 12 prioriteteve.
Zoti Countryman vlerësoi hapat pozitivë të ndërmarrë në dy muajt e fundit duke theksuar se dialogu dhe bashkëpunimi me Komisionin Evropian në kuadër të integrimit dhe përpjekjet e mazhorancës për arritjen e një marrëveshjeje për zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it janë zhvillime mjaft pozitive. Zëvendës sekretari i shtetit Countryman ndërsa vlerësoi përgatitjet që po bën KQZ dhe institucionet e tjera për procesin zgjedhor dhe hartimin e listave të zgjedhësve nënvizoi rëndësinë që ka jo vetëm një proces zgjedhor sipas standardeve më të mira, por dhe roli dhe sjellja e partive politike në periudhën pas zgjedhore.
Countryman, Haxhinasto: “SHBA dhe BE do ndjekin me vëmendje procesin zgjedhor”/Zëvendës-ndihmës/sekretari i Shtetit të SHBA-së, Thomas Countryman deklaroi dje se “SHBA është duke punuar ngushtë me Bashkimin Evropian dhe OSBE për ndjekjen e zhvillimeve gjatë procesit të zgjedhjeve vendore, proces, i cili do të sjellë një dinamikë shumë më të shpejtë të integrimit të vendit në BE”. Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se gjatë takimit që zhvilloi me zëvendësryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, zyrtari i lartë amerikan theksoi se, “pas takimeve të sotme, vërej me kënaqësi se situata politike në Shqipëri në raport me ato të dy vizitave paraardhëse është më e shtensionuar”. Ndërsa duke analizuar situatën e tanishme në Kosovë, të dy bashkëbiseduesit vunë theksin në respektimin e Kushtetutës. Gjithashtu, ata u ndalën në situatën në rajon, ku Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit vlerësoi shumë rolin që politika e jashtme shqiptare vazhdon të luajë në favor të interesave të paqes, stabilitetit dhe integrimit të rajonit në BE.