Italia, Libia dhe Mesdheu - Një strategji ndërkombëtare e butë
Mos u besoni atyre që thonë se Italia do të humbë gjithçka nga lufta e Libisë, naftën, biznesin dhe sigurinë. Kompania energjetike “ENI” ndodhet në Libi që nga fundi i viteve 50 dhe nuk është hera e parë që duhet të përballet me krizat e rënda ndërkombëtare dhe nuk është aq naive sa të mos dijë si dhe ku duhet ndryshuar. Mos i besoni Kasandrës së Eksodit Biblik, të 300 mijë të dëshpëruarve që duhet të pushtonin brigjet tona ndërsa tani – pa i hequr asgjë Lampeduzës – jemi nën 40 mijë të atyre emigrantëve që në vitin 2008 u përpoqën të hynin në Itali nga Libia, para “Marrëveshjes së mallkuar të miqësisë” të bërë me Rais-in. Mos mbështesni as atë që vendos shumë kollaj helmetën e hekurt në kokë dhe do të përmbysë Gedafin, pasi nuk është e qartë se me kë do të na duhet të përballemi pas rënies së Kolonelit dhe duke parasysh faktin se ata që e filluan këtë luftë nuk e dinë mirë nëse dhe si do të mbarojë ajo.
Në fakt, afërsia gjeografike me Tripolin është në favorin tonë, ashtu si edhe historia e gjatë që nga Kartagjena e deri tek Xhamahiria, kalon nga “Proletari i Madh”. Italia ka pasur gjithnjë dhe ndoshta do të vazhdojë të ketë një ndikim të caktuar në punët e fqinjit tonë si dhe në të gjithë Afrikën e Veriut dhe në Mesdheun e lashtë. Rrjedhshmëria e situatës në tokë dhe pasiguria e rezultatit të konfliktit natyrisht që i komplikojnë gjërat dhe përbëjnë një kërcënim për interesat dhe të ardhurat e konsoliduara. Për shembull , nëse Libia do të shpërbëhet në dy ose më shumë njësi territoriale, rrezikojmë të humbim çka kishim fituar me Rais-in dhe ato që do të mund të kishim fituar duke mbështetur rebelët. Evokimi i rastit më të keq nuk do të thotë siç është thënë se, qeveria italiane në Libi ishte e paqëndrueshme dhe e turpshme. Ky është një ekuilibër i vështirë që ne gjejmë para një skenari të papritur që ka transformuar aleatin (të rehabilituar) e djeshëm në armikun (e padeklaruar) e sotshëm dhe është një çështje që nuk vlen vetëm për Libinë, por për të gjithë Mesdheun, Afrikën Veriore dhe Lindjen e Mesme, të tronditur nga revolucionet pak a shumë “demokratike”.
Prej këtej avionët tanë ngrihen në ajër “pa qëlluar fare”. Prej këtej dhembshuria e treguar nga CAV. kundrejt Gedafit, diktatori që nuk donim “të shqetësonim” (Berluskoni, 19 mars) për të nderuar më pas Rezolutën e OKB-së kundër tij, duke ngrirë edhe traktatin e miqësisë në pritje të kohërave më të mira, kur të dimë se me kë ta ripërtërijmë. Prej këtej lëkundja e deklaratave për të cilat (21 marsin e shkuar) Ministria e Jashtme këshillon ruajtjen nga “Emiri islamik i Bengasit” dhe tjetri njofton një vizitë të Delegacionit të Këshillit Kombëtar të Tranzicionit në Romë (të hënën e ardhshme). Prej këtej rrotullohen shifrat e viktimave civile të Rais-it, nga 1000 trupa të hedhur në varret masive të supozuar (Frattini, 23 mars) në “disa” qindra vdekje të regjistruara në të njëjtën periudhë nga HRË. Kontradikta, do të thonë ata, por historia dhe politika e një vendi janë gjithnjë diçka kontradiktore dhe është pikërisht detyrë e atij që e bën, historinë, të gjejë një ekuilibër mbi çmendurinë. E gjitha ndodhet këtu, sipas revistës së inteligjencës Stratfor, strategjia e ndjekur nga vendi ynë kundrejt një shteti tjetër që ishte kthyer në një partner të rëndësishëm ekonomik e tregtar, përveç se ishte (i vetëquajtur) kujdestar i kufijve tanë.
Ndjekja e “të gatshmëve” , por përdorimi i NATO-s si një anti – anglofrancez, si në kohën e krizës së Suezit. Ngritja e avionëve të Aleancës nga bazat tona dhe kandidimi
i Napolit si një zyrë për të pritur një “Komandë të Unifikuar”, por në të njëjtën kohë garantimi i një rruge shpëtimi për Gedafin, një mërgim i turpshëm që nuk e largon nga një dënim i drejtë i Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Nëse duam të mbajmë larg puset e naftës nga Tripoli dhe nga Libia perëndimore duhet të ndjekim këtë rrugë, dredha – dredha. Ne jemi vendi i parë importues i naftës nga shteti afrikan (29%) dhe aktualisht Libia përfaqëson për ENI-n 15% të totalit të “outputeve” të saj të hidrokarbure në nivel global, 108.000 fuçi në ditë, 8.1 miliardë metra kub gaz në vitin 2009, një tubacion (il Greenstream) që ka kushtuar shumë. Nëse nuk duam të përfundojmë të gjithë si skllevër të Moskës duhet të mbrojmë interesat tona dhe të shpresojmë se Ministria e Jashtme ndjek hap pas hapi evoluimin e luftës, duke qenë se armë dhe sisteme kontrolli e sigurie mund të shesim shumë për fituesit, aq sa i kemi dhënë Gedafit: 900.000.000$ mes Finmeccanica dhe Intermarine Spa (pa llogaritur ato 1 miliardë dollarë që ishte në lojë para se të fillonte fundi rrëmuja). Ashtu siç do të ishte idiote humbja e vlerës së investimeve të fondit sovran libian në Itali, nga ENI tek UniCredit për të njëjtën Finmeccanica. “Italia ka shumë interesa në lojë në Libi për të zgjedhur me vendosmëri se nga cila anë do të rrijë”, shkruan Stratfort dhe duhet të jemi mjaft të shkathët që të përputhet besimi ynë ndaj aleatëve dhe ndjekja e një interesi legjitim kombëtar. Në momentin kur Shtetet e Bashkuara nuk shkojnë përtej luftës nga qielli (deri tani Obama ka shpenzuar 600 milionë dollarë për “një përmbajtje” të thjeshtë, Gedafi tërhiqet e përparon sipas qejfit), ndërsa francezët dhe anglezët nuk thonë nëse do kenë kurajo për t’i shkuar deri në fund duke dërguar trupat e tyre dhe për të përmbysur Rais-in (në këtë rast, shpresojmë që të arrijnë në kohë edhe trupat tanë), Italia ripohon me vendosmëri besimin e saj në NATO, tërheq konfliktin me Turqinë, e vetmja që mund të vejë maskën e ndërhyrjes humanitare. Ne bëjmë thirrje për një armëpushim dhe për kërkesat themelore për të legjitimuar rebelët (zgjedhje, kushtetutë, shoqëri laike), duke lënë një korridor të ngushtë nga i cili Gedafi, vetëm nëse nuk do të ishte një qen i tërbuar, do të mund te dilte i sigurt.
*Marrë nga L’Occidentale