KQZ rrëzon ankimimet e LSI dhe PPKDSH për Kukësin, mandatet 3:1 për PD

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) rrëzoi dje, me 4 votat e anëtarëve të pranishëm, ankimimet e dy subjekteve zgjedhore, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Popullore Kristiandemokrate e Shqipërisë që kundërshtojnë vendimet e tabelave të rezultateve të disa KZAZ-ve në qarkun e Kukësit, duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së për rezultatin e këtij qarku. Pas një mbledhje të shoqëruar me debate, anëtarët e Komisionit i gjetën të pambështetura në ligj provat e paraqitura nga palët ankimuese për vlerësim të padrejtë të votave të tyre gjatë procesit të numërimit. Para mbylljes, sipas ligjit, të hetimit administrativ të këtyre ankesave relatori i kësaj çështje, anëtari i KQZ-së, Hysen Osmanaj, tha se ankesa e PPKDSH-së, që kundërshton vendimin e KQZ-së për tabelën e Kukësit dhe vendimet e tabelave të KZAZ-ve nr. 9, 10 dhe 11, nuk paraqet asnjë provë për t’i administruar sipas nenit 136 të kodit zgjedhor. Po ashtu sipas Osmanaj, edhe kërkesa ankimore e LSI-së, që kundërshton vendimin e ZAZ-së nr. 9 në Kukës, duke kërkuar rivlerësim dhe rinumërim të votave në 15 qendra votimi, nuk ka sjellë prova që mund të na çojnë Komisionin në kontestimin e rezultatit në këtë zonë zgjedhore. Sipas vendimit të KQZ-së tabela e rezultatit për qarkun e Kukësit përcakton 3 mandate të fituara nga koalicioni i djathtë "Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim", kundrejt 1 mandati të marrë nga koalicioni i majtë "Aleanca për Shqipërinë Europiane".
...