E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ s' miraton listën e vëzhguesve vendorë

Miratimi i listës së vëzhguesve u shty sepse njëra prej shoqatave të këtij Koalicioni paraqitej si koalicion i shumë shoqatave, por pa paraqitur në KQZ një akt që vërtetonte që shoqatat e përfshira të ishin në këtë grupim. 

TIRANE- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) shtyu miratimin e dy projektvendimeve që lidhen me akreditimin e misioneve që do të vëzhgojnë zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë dhe Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri janë dy organizatat, të cilat nuk e morën sot miratimin e KQZ-së për nisjen e misionit të tyre monitorues ndaj procesit të afërt zgjedhor, pasi nuk plotësonin dokumentacionin e kërkuar.

Miratimi i listës së vëzhguesve të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë, u shty sepse njëra prej shoqatave të këtij Koalicioni paraqitej si koalicion i shumë shoqatave, por pa paraqitur në KQZ një akt që vërtetonte që shoqatat e përfshira të ishin në këtë grupim. Në bazë të nenit 21, pika 1 dhe nenit 6 pika 2, 4 dhe 5 të Kodit Zgjedhor, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, i cili është një koalicion i përbërë nga 4 OJF, kanë paraqitur një kërkesë për akreditimin e 174 vëzhguesve afatgjatë dhe pritet që të paraqesin edhe një shkresë tjetër për akreditimin e 2500 vëzhguesve afatshkurtër.

Lidhur me kërkesën për akreditimin e listës së Forumit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, sipas ligjit, Ristani tha se ata duhet të kishin dokumentacionin e identifikimit, bazuar në standardet aktuale; ose pasaportën, kartën e identifikimit ose çertifikatën me fotografi. “Pasaportat që kanë qënë në qarkullim para viteve 90’ nuk janë pranuar si dokument identifikimi. Për këtë arsye u shty miratimi i listës së Forumit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri”, tha për ATSH-në Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›