KQZ, shkarkon 4 komisionerët në qarkun e Fierit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) shkarkoi të mërkurën në mesditë katër komisionerë, anëtarë të katër QV-ve në KZAZ-të nr.18, 19, 20 dhe 21 të Qarkut Fier, të cilët prej disa orësh kishin bllokuar procesin e numërimit të votave. Pasi u informua nga specialistët e KQZ-së lidhur me situatën në këtë qark, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, propozoi shkarkimin e të gjithë komisionerëve që bëhen pengesë për procesin, duke mos respektuar ligjin. Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ në Qarkun e Fierit nga 488 QV deri tani janë numëruar 472 prej tyre. Numri i zgjedhësve të thirrur për të votuar në këtë Qark është 352.423.