E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ shpall Bashën fitues të Bashkisë, beteja shkon në Kolegj

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 24-05-2011 11:39

Tiranë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli mbrëmë Lulzim Bashën fitues të garës për Bashkinë e Tiranës. Me 4 vota pro dhe 2 kundër, KQZ-ja miratoi mes debatesh tabelën përmbledhëse të rezultatit për Tiranën, që e nxjerr Bashën fitues me 81 vota më shumë se lideri socialist Edi Rama. Në vendimin e miratuar pas verifikimit të 485 kutive të votimit dhe tabelave të 11 KZAZ-ve të kryeqytetit, rezultoi që kandidati Lulzim Basha ka marrë 124 786 vota, kundrejt 124 705 votave të marra nga kandidati Edi Rama. Në këtë garë kandidati komunist Hysni Milloshi mori 1 394 vota. Ky vendim nuk është shoqëruar pa debate. Ashtu siç ka ndodhur gjatë gjithë ditëve të fundit, edhe në këtë rast përfaqësuesit e Partisë Socialiste ngritën kundërshtimet e tyre në lidhje me miratimin e tabelës përfundimtare të Tiranës, e cila në përfundim të saj nxori fitues kandidatin Basha. Përfaqësuesi juridik i PS-së, Genci Gjonçaj, kërkoi pezullimin e marrjes së vendimit, për faktin se për këtë çështje tashmë është depozituar një padi në Kolegjin Zgjedhor dhe se, në bazë të ligjit, asnjë institucion nuk mund të marrë një vendim pa u shprehur më parë gjykata. Por nga ana e tij, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, u shpreh se nuk është duke shkelur asnjë ligj, por thjesht po kryen detyrën e tij. “Nuk jemi duke zgjidhur një mosmarrëveshje, për të cilën duhet pritur vendimi i Gjykatës. Ne po bëjmë detyrën që na është ngarkuar në ligj dhe si e tillë, kërkesa juaj për pezullimin e këtij procesi nuk qëndron.” – u shpreh Ristani. Gjonçaj akuzoi KQZ-në se është duke ndryshuar rezultatin në tavolinë, në favor të një kandidati, por Ristani u kundërpërgjigj se “marrja e rezultatit në tavolinë, është kur përdoren truke proceduriale për ta ndryshuar atë. Në këtë rast, ne po pasqyrojmë realitetin, duke lexuar të gjitha votat”. Në mbledhjen e djeshme, nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, kërkoi 24 orë kohë për të parë shifrat dhe për t’i krahasuar ato. Gjithashtu, ajo shprehu shqetësimin se në projekt-vendimin e paraqitur nuk ishin bashkëngjitur tabelat e 485 qendrave të numërimit, por vetëm tabelat e KZAZ-ve. Edhe për këtë rast, Ristani u shpreh se për këtë çështje është marrë një vendim nga ana e KQZ-së, sipas të cilit janë përcaktuar proceduarat përkatëse dhe personat përgjegjës, të cilët përllogarisin të gjitha tabelat dhe në fund paraqesin tabelën përfundimtare të çdo KZAZ-je dhe tabelën përmbyllëse të Tiranës. Megjithëse raundi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mund të konsiderohet i mbyllur në favor të Bashës, të dyja palët e kanë të qartë se mbetet edhe një hallkë tjetër për t’u konsumuar, ajo e Kolegjit Zgjedhor. Partia Socialiste e ka shprehur tashmë qëndrimin për ta çuar në Kolegj, ku pritet të shikohet nëse do të mbetet në fuqi vendimi i KQZ-së, që e shpalli Lulzim Bashën fitues me 81 vota në Tiranë.

Lapsusi në vendim: Basha, i “Aleancës për të Ardhmen”

Projektvendimi, i cili më pas u bë vendim me 4 vota pro dhe 2 kundra, nuk kaloi pa nxjerrë në dukje dhe disa lapsuse, ku më i rëndësishmi ishte ai i bërë publik nga ana e përfaqësuesit ligjor të PSV 91, Idajet Beqiri. Në këtë projektvendim ishte shkruar: Të shpallet fitues Lulzim Xhelal Basha, propozuar nga Koalicioni “Aleanca për të Ardhmen”. Menjëherë pas bërjes publike të këtij lapsusi, administrata e KQZ-së mori masat për ndryshimin e këtij lapsusi dhe korrigjimin e tij nga: propozuar nga Koalicioni “Aleanca për të Ardhmen” në: propozuar nga Koalicioni “Aleanca për Qytetarin”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›