E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi i KQZ: Ja pse votat në kutinë e gabuar janë të vlefshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi me 4 vota pro vendimin që legjitimon procesin e numërimit të votave të hedhura në kutitë e gabuara

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi me 4 vota pro dhe tre kundër vendimin që legjitimon numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara. Gjatë mbledhjes së djeshme, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, lexoi vendimin 14-faqesh, sipas të cilit ky institucion ka hapur kutitë dhe numëruar votat që prej datës 17 maj. “KZAZ-të e Tiranës, në tërësi, kanë konstatuar mungesën e një procedure uniforme për trajtimin e kësaj çështjeje si dhe mungesën e udhëzimeve dhe rregullave të posaçme në manualet e punës së GNV-ve dhe KZAZ-ve. KZAZ-të për këtë gjë kanë debatuar dhe kanë vepruar në mënyra alternative”, - thuhet në vendimin e lexuar nga Ristani, ku shtohet më tej se, lidhur me këtë çështje, në KQZ kanë paraqitur kërkesë 8 nga 11 KZAZ-të e Tiranës. Vendimi shpjegon edhe aktin më të debatuar në këtë sipërmarrje, atë të marrjes së kompetencave të KZAZ-së nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. “KQZ këtë kompetencë e ka ushtruar në zgjedhjet e vitit 2001, në rastin kur KZZ nr.60 nuk i ushtroi detyrat e saj për nxjerrjen e rezultatit në këtë zonë, por edhe në disa raste në zgjedhjet vendore 2007 dhe ato parlamentare të vitit 2009. “Në zgjedhjet për pushtetin vendor, KZAZ-të e Tiranës, të vetme nuk mund të hartojnë tabelën përmbledhëse të rezultatit për Bashkinë Tiranë”, - thuhet në vendim, duke shtuar se kjo detyrë i kalon organit epror. Sipas vendimit, procedura e ndjekur prej 17 majit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve respekton përcaktimet e bëra në nenin 33 të Kodit Zgjedhor. “Kërkesat e paraqitura nga KZAZ-të e detyrojnë KQZ-në të kryejë hetim administrativ primar dhe aspak një proces hetimi ankimor”, - thuhet në vendim, ku shtohet se procedura e ndjekur nuk përjashton askënd nga ankimi zgjedhor. Sa i përket përcaktimit ligjor të fletëve të hedhura në kutitë e gabuara, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se neni 117 i Kodit Zgjedhor i ndan votat në të vlefshme dhe të pavlefshme, ku në kategorinë e parë përfshihen të gjitha ato kur është votuar qartësisht vetëm për njërin nga subjektet. “Hedhja e votës prej zgjedhësit në një kuti tjetër të së njëjtës qendër votimi, sipas Kodit Zgjedhor nuk e bën fletën e votimit të pavlefshme. Çdo proces elektoral ka në qendër të tij zgjedhësin dhe vullnetin e tij: zgjedhësi nuk mund të ndëshkohet nga teknikalitetet administrative”, - thuhet në vendimin e miratuar mbrëmë në KQZ, ku shtohet se ndarja me 4 kuti ka për qëllim vetëm administrimin më të lehtë të procesit të votimit. KQZ e ka justifikuar procedurën e ndjekur si një proces në krah të interesit publik, pasi zgjedhësi e ka bërë zgjedhjen e tij të qartë, të saktë dhe të paidentifikueshme. “Këto vota janë të barabarta me votat e tjera të numëruara, janë të pacenuara juridikisht, lehtësisht të identifikueshme për qëllime këqyrjeje dhe vlerësimi e të gjitha kanë të respektuar parimin e fshehtësisë së votës”, - thuhet në vendimin që legjitimon procesin e numërimit të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e që i përfshin ato në tabelat përmbledhëse të rezultatit në KZAZ-të respektive.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›