KQZ shpall sot rezultatet, PS në dilemë, vendimi kërkon 5 vota
Dallimet mes dy kampeve politike të përfaqësuara edhe në tryezën e KQZ lidhur me procesin zgjedhor të vendoreve 2011 rrezikojnë sot të bëjnë të pamundur miratimin e vendimit për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve vendore të 8 Majit, i cili kërkon 5 vota. Kjo mund të sjellë për rrjedhojë që palët edhe një herë në mënyrë përfundimtare t’i drejtohen edhe një herë Kolegjit Zgjedhor, për ta bërë ai shpalljen e rezultatit përfundimtar të këtyre zgjedhjeve. Çka pritet të shtyjë të paktën dhe për disa ditë të tjera mbylljen përfundimtare të zgjedhjeve vendore të këtij viti.
Opozita
Mbledhja e sotme e KQZ pritet të testojë dhe një herë konsensusin politik mes shumicës dhe pakicës në vend. Megjithëse bëhet fjalë për një vendim krejt formal të certifikuar në një pjesë të mirë të njësive vendore edhe nga Kolegji Zgjedhor, palët rrezikojnë t’i ndajnë qëndrimet politike dhe vlerësimet e kundërta që kanë për procesin në disa zona të nxehta siç është edhe Bashkia e Tiranës. Megjithëse nuk kanë vendosur në mënyrë përfundimtare për votën që do të shprehin në mbledhjen e sotme, përfaqësuesit e opozitës në KQZ kanë bërë të ditur mbrëmë për MAPO-n se çdo gjë do të vendoset sot, por duke mos përjashtuar mundësinë edhe të një vote kundër dhe kjo vetëm për shkak të rezultatit të Tiranës. Kështu, përfaqësuesit e së majtës në KQZ do të jenë sot përballë një dileme për të zbatuar parimet juridike që vendimet e gjykatave nuk diskutohen, apo t’i përmbahen qëndrimeve politike të shprehura nga drejtuesit e PS, të cilët kanë deklaruar në mënyrë të hapur se nuk i njohin këto vendime të Kolegjit Zgjedhor. Ky është rasti i dytë që anëtarët e KQZ-së, përfaqësues të opozitës duhet të vendosin për një situatë të tillë. Kjo pasi edhe në zgjedhjet e 2009-s, kur për rrjedhojë se PS kundërshtoi fort procesin zgjedhor për zgjedhjet parlamentare në një sërë qarqesh, u krijua thuajse e njëjtë situatë si dhe në këto zgjedhje. Por atëherë, pavarësisht pretendimeve politike, ata preferuan të zbatojnë parimet juridike, duke votuar vendimin përfundimtar të zgjedhjeve. Vendim ky që u përdor jo pak nga mazhoranca, e cila sa herë që hapej debati për zgjedhjet e 2009-s, i kujtonte opozitës vendimin përfundimtar të zgjedhjeve, i cili ishte miratuar me 7 vota.
Kolegji
Nisur nga një përvojë e tillë, me shumë gjasa anëtarët e KQZ-së të propozuar nga e majta mund të votojnë kundër miratimit të rezultatit përfundimtar. Në rast të një vendimmarrjeje të tillë, projektvendimi i hartuar nga KQZ nuk mund të votohej, pasi që të ketë fuqi ligjore do të duhet të marrë pesë vota, të cilat mazhoranca nuk i ka në komision. Ndaj, për rrjedhojë, çështja e zgjedhjeve vendore mund të shkojë dhe një herë në Kolegjin Zgjedhor, i cili në mënyrë krejt formale do duhet të marrë një vendim për të shpallur ai rezultatin final. E gjithë kjo çështje padyshim që merr vetëm vlera politike, pasi nga ana praktike mosmiratimi i këtij vendimi nuk merr asnjë rëndësi, pasi të gjithë krerët e rinj të komunave dhe bashkive, si dhe këshillat respektivë kanë nisur prej kohësh nga funksionimi.