Djegia e komunës Shalë, arrestohet roja i godinës
Kreu i PS-së së Shkodrës, Genc Uruçi, pohon se djegia ka qenë e qëllimshme, për të zhdukur dokumentet që vërtetojnë abuzimet
SHKODËR Dy ditë pas djegies së zyrave të komunës Shalë është arrestuar roja i objektit me akuzën e zjarrvënies me dashje. Burime zyrtare të policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se është arrestuar 45-vjeçari Frrok Toma, lindur e banues në fshatin “Lekaj”, komuna Shalë, e rrethit Shkodër, me detyrë roje i godinës së komunës “Shalë” në fshatin Breg Lumi të rrethit Shkodër.
Prangosja
Arrestimi i tij u bë pasi nga veprimet e hetimore të kryera rezultoi se ky shtetas është autori i djegies me zjarr të godinës së komunës “Shalë” të rrethit Shkodër, ngjarje kjo e ndodhur ditën e hënë rreth orës 07.45. Mësohet se hetimet për këtë ngjarje vazhdojnë dhe se djegia e komunës së bashku me një pjesë të dokumentacionit të saj dyshohet se është e qëllimshme. Sipas banorëve të kësaj komune, ngjarja ka qenë e parashikuar se mund të ndodhte. Materialet në ngarkim të Frrok Tomës i janë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Shkatërrim të pronës me zjarr”.
Reagimet
Ndërsa për kryetarin e PS-së së rrethit Shkodër, Genc Uruçi, djegia e komunës është vazhdim i situatës së tensionuar dhe përpjekjeve manipulative të PD-së për prishjen e procesit zgjedhor në komunën Shalë. Sipas Uruçit, djegia e dokumentacionit për të cilin PS dhe kandidati i saj fitues në këtë komunë Bal Vuksani ishin shprehur se ka shkelje të rënda, është bërë për të fshehur parregullsitë, abuzimet dhe atë çfarë ka ndodhur në këtë komunë gjatë drejtimit të saj nga PD. Pavarësisht kësaj, Uruçi ka shtuar se ata kanë fakte të tjera abuzimesh e shpërdorimesh të bëra jo vetëm në komunën e Shalës por dhe në komunat e tjera të drejtuara nga PD, të cilat do bëhen publike. Komuna e Shalës digjet pak ditë pasi Kolegji Zgjedhor rrëzoi kërkesën e PD-së për paligjshmëri të procesit zgjedhor të 21 gushtit në këtë komunë, proces pas të cilit me një diferencë prej dy votash kryetar i kësaj komune u zgjodh Bal Vuksani i koalicionit të majtë, ndërsa humbi kryetari i kësaj komune për dy mandate radhazi Dedë Tonaj. Procesi zgjedhor në këtë komunë malore, më e madhja e zonës së Dukagjinit, kaloi nëpër disa raunde. Më 8 Maj u zgjodh këshilli i komunës, ndërsa votimet për kreun e saj u kthyen nga Kolegji Zgjedhor dhe pse rezultati ishte me 140 vota më shumë për kandidatin e PD-së, Dedë Tonaj. Pas kësaj, të afërm të dy kandidatëve, Tonaj e Vuksani, u përfshinë në një konflikt me armë, ku mbeti i plagosur kushëriri i parë i Bal Vuksanit.
Diana Kolaj