E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarët dhe proporcionali: Ja rezultatet përfundimtare

Kur kanë kaluar më shumë se katër muaj nga mbajtja e zgjedhjeve vendore të 8 Majit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të përmbyllë në mënyrë zyrtare procesin elektoral, duke shpallur rezultatin final për të gjitha njësitë vendore, si dhe atë për votat që ka marrë secila forcë politikë në të gjithë vendin. KQZ në bazë të rezultateve të marra nga çdo KZAZ ka mundur të hartojë vendimin për miratimin e rezultatit final, i cili përbëhet nga dy pika: njëra që ka të bëjë me rezultatin për votat e marra nga secili subjekt dhe i dyti që ka të bëjë me njësitë e fituara nga secili koalicion. Duke u bazuar te të dhënat që japin tabelat që janë pjesë e këtij projektvendimi, rezulton se në mënyrë finale në zgjedhjet vendore të 8 Majit koalicioni i djathtë “Aleanca për Qytetarin” ka marrë plot 813 335 vota, ndërsa koalicioni kundërshtar “Aleanca për të Ardhmen” 671 612 vota. Ndërkohë që, sipas këtij projektvendimi, si subjekte politike, është Partia Socialiste ajo që kryeson listën e partive më shumë të votuar me 432 823, e ndjekur nga Partia Demokratike 330 950 vota. Në vendin e tretë renditet Lëvizja Socialiste për Integrim me 117 707 dhe pas saj Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet me 63 426 vota. Përsa i përket njësive vendore, në bazë koalicionesh të djathtët kanë marrë shumicën dërrmuese të tyre, kryesisht komuna, ndërkohë që të majtët kanë siguruar drejtimin e shumicës së bashkive. Në total, koalicioni “Aleanca për Qytetarin” ka marrë drejtimin në 218 njësive vendore, kundrejt 145 që drejton koalicioni opozitar “Aleanca për të Ardhmen”. Të detajuara këto shifra, sipas bashkive dhe komunave, rezulton se koalicioni i djathtë ka fituar kryetarin në 30 bashki dhe në 188 komuna, ndërkohë që koalicioni i majtë në 35 bashki dhe në 110 komuna. Partia minoritare PBDNJ, e cila në këto zgjedhje konkurroi e vetme, me 40 710 votat e marra ka mundur të sigurojë drejtimin e 9 njësive vendore, në qarqet Gjirokastër dhe Vlorë. Dy komuna ka mundur të fitojë dhe LZHK e Dashamir Shehit, e cila gjithashtu konkurroi jashtë koalicioneve. Dhjetë komuna drejtohen, sipas këtij rezultati, nga individë të pavarur, të mbështetur nga zgjedhësit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›