E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ, shqyrtohet sot lista e kandidatëve të PS

Partia Socialiste ka pasur 48 orë në dispozicion për të bërë ndryshimet e duhura në listat e kandidatëve të saj për deputetë, në qarkun e Lezhës. Lista u kthye për mospërfaqësim të grave në këtë qark. 

TIRANE- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë sot listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste, pasi iu kthye me argumentin se nuk plotësohet kushti i përfaqësimit në këtë listë të 30% të grave. Partia Socialiste ka pasur 48 orë në dispozicion për të bërë ndryshimet e duhura në listat e kandidatëve të saj për deputetë në qarkun e Lezhës. Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli konfirmoi se kjo kohë fillon menjëherë pas përfundimit të afatit të shqyrtimit të listave në komision. Por, me gjithë kohën e dhënë, rregullimet duhen bërë dhe paraqitur në KQZ jo më vonë se 32 ditë nga data e zgjedhjeve. I pyetur për arsyet e kthimit të të gjithë listës së kandidatëve të PS-së, kur probleme kishte vetëm në një qark, Olli sqaroi se ky ishte një standard i vendosur nga komisioni për të gjitha forcat politike. Lista e selisë rozë u kthye mbrëmjen e së shtunës, pasi, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në qarkun e Lezhës nuk u zbatua përfaqësimi me 30 për qind i grave. Ndërkohë që Partia Demokratike përdori shtimin e emrave për qarkun e Lezhës dhe të Kukësit, përtej numrit të mandateve të deputetëve që kanë këto dy qarqe, për të bërë të mundur realizimin e përfaqësimit të femrave me 30 për qind. Por, një gjë e tillë ka shkaktuar debat mes përfaqësuesve të PS-së, PD-së, por dhe anëtarëve të KQZ-së.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›